Nesër sfida vendimtare me Kroacinë, Sylvinho: Do të luftojmë për 90 minuta. Gjimshiti: Të jemi të ”pistë” në fushë
Nesër kombëtarja e futbollit do të ketë sfidën vendimtare kundër Kroacisë për ”Euro 2024”, dhe trajneri Sylvinho doli në një konferencë për shtyp, ku foli për gazetarët në lidhje me zhvillimet e fundit në ekip apo ndeshjen që lamë pas me Italinë. Sylvinho deklaroi se ekipi aktualisht nuk ka asnjë mungesë, teksa shtoi se të gjithë lojtarët do të japin maksimumin gjatë 90 minutave, njësoj siç bënë ndaj Italisë.
“Po në këtë moment jemi në rregull. Kemi pasur një trajnim të shkurtër. Do të kthehemi në hotel për të folur me stafin. Nuk kemi asnjë të lënduar. Ky është një grup shumë i vështirë, por mendoj që është një gëzim i madh të jemi këtu. Po luajmë ndaj ekipeve ndaj më të mëdha, do të bëjmë më të mirën që mundemi. Është gëzim të luajmë kundër ekipeve të mira dhe të forta, me nivele të larta teknike. Është një kompeticion shumë i mrekullueshëm dhe unë asnjëherë nuk do të heq dorë në 90 minuta, në kohën shtesë. Këtë bëmë ndaj Italisë, e respektuam dhe rrezikuam deri në minutën e fundit. Do të jemi aty për të luajtur çdo minutë”, tha Sylvinho.
Në lidhje me ndeshjen me Kroacinë, trajneri i kuqezinjve, vlerësoi kundërshtarët, për një pjesë të të cilëve tha se është nder që të luash ndaj tyre. “E kemi studiuar Kroacinë, e kemi parë që mbaroi 3-0, por ajo luajti shumë mirë ndaj Spanjës dhe ishte një ndeshje e mirë për ta. Kroacia ka cilësi, aftësi teknikë, pasime të sakta dhe mban topin. Nuk mund të themi që fitorja e Spanjës ishte e lehtë. Ju e keni parë ndeshjen vetë dhe e vutë re sa e vështirë është të luash ndaj Kroacisë. Lojtarët e tyre kanë aftësi të mëdha, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Duhet të jemi të duruar. Kapiteni ka të drejtë kur thotë që kemi një përzierje të mirë”, përfundoi ai.
Kurse kapitenti i kombëtares, Berat Gjimshiti bëri një reflektim nga ndeshja e kaluar me Italinë dhe anlizoi shanset për sfidën e nesërme. ”Në fushë, nuk duhet të jesh vetëm i bukur”, tha kapiteni i Kombëtares. “Kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, që e linim shumë thjeshtë zonën tonë. Duhet ta ndalësh pak ritmin e kundërshtarit, sepse kundërshtar me nivel kaq të lartë të bën dëm. Nuk duhet të jesh vetëm i bukur në fushë, por edhe i pisët e të marrësh atë që meriton”. Duke e cilësuar ndeshjen me Italinë, ku humbëm me rezultatin 1-2, një shok për të dhe kolegët, Gjimshiti u shpreh se përballja me kroatët do të jetë e vështirë për të dyja palët, por synimi është fitorja.