Nga opozita e Sali Rexhepit te opozita e Lefter Lefterëve

Pak orë pasi Fronti Opozitar vendosi të djegë mandatet e gjithë deputetëve nuk kanë vonuar skemat e gatshme të diversionit qeveritar. Projekti i Kryeministrit për të zgjidhur krizën më të rëndë politike dhe institucionale nuk është dialogu, por e thënë thjeshtë, krijimi i një opozite fiktive. Dhe mënyra sesi Edi Rama ka menduar të zëvendësojë 62  karrige bosh deputetësh opozitar në Parlament, në vend që të zgjidhë problemin rrezikon ta komplikojë edhe më shumë atë, duke krijuar opozitë të blerë apo opozitë fasadë, e cila nuk përfaqëson asnjeri.

Deputeti i parë që socialistët kanë joshur për të marrë mandatin është Lefter Maliqi. Ish-socialisti i konvertuar në demokrat në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i PD-së në Berat, por nuk arriti të fitonte. I pakënaqur që nuk mori vota, inatin e nxori të kreu i PD-së, Lulzim Basha, që sipas tij e la në një pozicion jo fitues në listë. Megjithëse akuzoi pa fund PD dhe Lulzim Basha, karriera e tij politike gjeti shpëtim te një propozim i Edi Ramës për ta bërë zëvendësdrejtor të përgjithshëm të burgjeve. Është ndër rastet e pakta, kur një kandidat për deputet i opozitës që pretendonte të ishte deri në Kryesinë e PD, për inat të kryetarit, ndërron dhe partinë me kostumin e një gardiani burgu. Pasi ju sigurua një vend në administratë dhe është bërë pjesë e strukturave të PS, Lefter Mali është kandidati kryesor që Edi Rama ka zgjedhur për ta pasur opozitar.  Sigurisht vendimet janë personale dhe Lefter Maliqi mund të bëjë çfarë të dojë me karrierën e tij politike, por një drejtor administrate ta paraqesësh dhe si opozitar të qeverisë, është pak të thuash qesharake.

Mënyra e dytë sesi Edi Rama ka menduar të zëvendësojë opozitën është ndalimi i deputetëve aktualë të djegin zyrtarisht mandatet. Lefter Koka, deputet i LSI dhe dy herë ish-ministër i kësaj force politike bëri deklaratë dje se nuk e djeg mandatin. Koka deklaroi se mandati ishte personal dhe ai ishe votuar nga qytetarët e Durrësit për të qenë në parlament. Deklarata e tij vjen një ditë pasi grupi parlamentar i LSI mori vendim unanim për djegien e mandateve. Pra, është një vendim politik që është diskutuar gjatë në forumet e partive dhe u vendos si mënyra e vetme që i ka mbetur në dorë opozitës për të rrëzuar Ramën. Çdo deputet mund të bëjë zgjedhjet e veta personale, por partitë janë forume kolektive ku vendimmarrja e shumicës përcakton dhe qëndrimet e të tjerëve që nuk bien dakord. Praktikisht, nëse gjithë strukturat politike vendosin se bojkoti apo largimi është i domosdoshëm, dalja jashtë këtij vendimi, duke thyer rregullin, nuk lë vend për moral politik. Sepse nëse forumet e LSI duke nënkuptuar dhe përfaqësuesit e Durrësit, ku është zgjedhur Lefter Koka, kanë votuar për djegien, çfarë vlere ka që deputeti i zgjedhur nga këta votues të dalë dhe të thotë se është në parlament për interesin e tyre. Lefter Koka është zgjedhur nga LSI dy herë ministër e dalja kundër vendimit për djegien e mandatit duket si shpërblimi më i keq për gjithë mbështetjen politike që i është dhënë. Aq me shumë kur LSI kishte plot figura potenciale dhe nuk ua ofroi shansin të shfaqnin aftësitë e tyre si ministra. Më shumë se për anëtarët e LSI në Durrës, vendimi i Kokës duhet parë vetëm si një zgjedhje personale, që mund të ndryshojë në një kohë më të përshtatshme. Normalisht një mandat i tillë në Kuvend, pa siglën e LSI, as vet Edi Ramës që ka në mendje këtë skemë përçarje nuk i intereson. Lefter Koka edhe mund të vendosë të dalë deputet i pavarur, ndonëse nuk ka fituar mandat mazhoritar, por nuk ka justifikim politik ku dje thoshte se digjej për votuesit e tij dhe aq më keq të sulmonte partinë e cila e bëri dy herë ministër. Top Channel ka transmetuar dokumentar se çfarë diplome kishte ai nga Struga e Maqedonisë, bile ishte shkatërruese për imazhin e LSI, e ndërkohë po dje Lefter Koka sulmon partinë e cila i dha mandat ministri për 8 vite. Nuk mund të themi se ai nuk ka punuar dhe se nuk ka vota në Durrës, por nëse kishte kaq shumë vota pse nuk bëri parti të tijin e të fitonte mandat ministri? Pra është LSI e cila ia dha karriken e ministrit. Kjo është pabesi e madhe, porse mirë ua bëri kur e mandatuan për 8 vite ministër, a thua se LSI nuk kishte plot figura të tjera! Dy mënyrat e Ramës, marrja e deputetëve nga listat pasuese të kandidatëve me qejfmbeturit e kryetarëve, si Lefter Maliqi dhe me deputetët që nuk pranojnë ti binden qëndrimit politik të partisë, si Lefter Koka, në fakt nuk janë një skemë e re dhe dihet sesi përfundojnë.

Historia politike e Shqipërisë ka një rast të ngjashëm në vitin 1996. Pas vjedhjes së zgjedhjeve nga pushteti i Berishës, opozita (PS) vendosi bojkotimin pa kthim të Kuvendit. Edhe në atë kohë, ashtu si dhe sot, bojkoti u kritikua ashpër nga ndërkombëtarët që bënin çdo ditë deklarata kundër PS. Pothuaj gjithë të zgjedhurit e PS nuk pranuan as joshjet e Berishës për të hyrë në Kuvend dhe as presionin e ndërkombëtarëve që thoshin se opozita duhet në institucione. I vetmi që pranoi të shkonte në Kuvend ishte deputeti i Librazhdit, Sali Rexhepi, një figurë pa peshë politike te e majta që mori përsipër në atë kohë të vështirë të “zëvendësonte” gjithë opozitën përballë pushtetit të Berishës. Ironikisht edhe Sali Rexhepi përdori të njëjtat arsye. Përballë një regjimi të egër politik, ai deklaronte se qytetarët e kishin zgjedhur për të mbrojtur interesat e tyre në parlament dhe për të votuar ligje. Në atë kohë opozita deklaronte se në vend po instalohej diktatura, ndërsa socialisti Rexhepi për interesat e “votuesve”, miratonte ligje në Kuvend. Por qeverisë së asaj kohe, ashtu si dhe qeverisë së sotme, nuk i duheshin numrat, as emrat, por vetëm fasada. Sali Rexhepi ishte argumenti që përdorej nga qeveria për tu thënë ndërkombëtarëve se sistemi funksion. Edhe sot, për Edi Ramën nuk ka rëndësi se kush do të jetë në Kuvend, mjafton që të gjejë disa deputetë aktualë, apo të tjerë në lista që i kanë mbyllur hesapet me partitë e tyre dhe janë gati të krijojnë një opozitë fiktive. Edhe pse kjo skemë, në fillim do të ketë dhe mbështetjen formale të ndërkombëtarëve, është e sigurt se do të sjellë konflikt. Një vit pasi Sali Rexhepi mori përsipër të bënte rolin e opozitës falso, kriza ekonomike, keqqeverisja dhe sigurisht mungesa e opozitës reale në Kuvend solli atë që e dinë mirë të gjithë, 1997-ën. Dhe iku deputeti Sali Rexhepi duke u kthyer në barceletë e humor politik.

Kështu do të ndodhë edhe me “salirexhepërit” e rinjë të PD dhe LSI!/Qamil Xhani/

SHKARKO APP