Një parlament pa Ben Blushin
Parlamenti i ri fillon punë në shtator. Populli e dha verfiktin e tij. Me vota të blera apo jo, Edi Rama mbretëron në Kuvend me një numër solid deputetësh që sillet nga 74 deputetë të PS, plus një të PSD, Tom Doshin si dhe tre të PDIU. Pra 78 deputetë. Nuk dihet nëse nga përçarjet në PD mund të firojnë deputetë, të cilët do turren te pushteti i kryeministrit Rama. Gjasat janë që edhe katër deputetë nga radhët e PD-së të braktisin opozitën. Edi Rama shkon drejt një mazhorance të frikshme, edhe pa marrëveshjen me Lulzim Bashën, i cili ndodhet në një pozitë të vështirë politike, sepse kupola blu nuk e do, por nëse ish-mbreti Sali e ka prapë xhan, mund t’ia hedhë edhe kësaj radhe.
Pra opozitë e vertetë do jetë LSI. Ka figura të spikatura që do bëjnë rolin opozitar, bile edhe më fortë se sa vetë PD-ja e dikurshme. Do jetë edhe Sali Berisha në Kuvend, që mund të mbajë zërin opozitar, por është vetëm një Sali!
Mungon Ben Blushi, i cili ishte zëri i deputetit intelektual dhe problematik për qeveritë. Mori 20 mijë vota, por nuk hyri dot në sallën e Kuvendit për shkak të Kodit Zgjedhor të hartuar në vitin 2008 nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Një Kod që shkatërron partitë e vogla, parti të cilat i japin sharmin parlamentit. Shqipëria ka nevojë për një Kod tjetër Zgjedhor, kurrsesi mazhoritar, por duhet një sistem i pastër proporcional ose mazhoritar me përqindje proporcionale. Shqipëria ka nevojë për shumë parti, pasi bipartizmi do ta çojë vendin në një duel të dhunshmën mes PS dhe PD ose në një sistem mafioz bipartizan ku nuk do ketë opozitë, por një qeveri, e cila do jetë edhe opozitë , edhe pozitë!
Parlamenti i ri do jetë pa Ben Blushin. Për fajin e Kodit, por edhe se njerëzit akoma nuk kanë shumë ndjenjë qytetare. Kanë fituar deputetë pa shkollë dhe pa integritet, kanë marrë mandat parlamentar, deputetë që i blenë votat nëpër katunde, por Ben Blushi nuk kishte lekë për të blerë vota. Blushi ka fuqinë e të folurit për popullin, por populli nuk e votoi shumë edhe në Tiranë.
Ky është populli!
Në fund të fundit çdo popull meriton qeverinë që ka.