Nxjerrja e të dhënave nga e-Albania, Basha: Ramën s’ka marifet që e shpëton
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim elektoral me të rinjtë në zonën e Farkës në Tiranë ka komentuar akuzat e nxjerrjes nga PS të të dhënave personale të votuesve nga e-Albania.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se edhe ky marifet nuk e shpëton kryeministrin, Edi Rama. Sipas tij 25 prilli është dita e bashkimit të shqiptarëve për ndryshim.
“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledhin numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete.
Ty si gjimnaziste do të ofrojë mundësinë të zgjedhësh degën e preferuar në një universitet i cili do të ndihmohet nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që atë degë ti të përvetësosh profesionin tënd, jo thjeshtë përmes mësimit teorik por edhe përmes praktikës.
Dhe ndërkohë që kjo ndodh, ne do të kemi krijuar në këtë vend një sistem fiskal me taksa të ulëta, një liri tregu. Do të kemi shporrur terrorin e taksidarëve të inspektorëve dhe të shtetit në tërësi dhe do të kemi bërë të mundur kësisoj që investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj të hapin vende pune dhe të kërkojnë profesionistë të zotë”, tha Basha.