Olsian Çela zgjidhet Prokuror i Përgjithshëm

Kuvendi ka zgjedhur sot kryeprokurorin e ri. Me 101 vota pro, është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Oslian Çela.

Kryeprokurorja aktuale, Arta Marku, ka marrë vetëm 11 vota pro, 22 kundër dhe 78 abstenim. Kundër Çelës kanë votuar vetëm 2 deputetë, ndërsa 10 të tjerë kanë abstenuar.

Olsian Çela ishte i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi arriti të sigurojë më shumë pikë, gjatë procesit të marrjes në pyetje. KLP renditi të dytën kryeprokuroren aktuale, Arta Marku, ndërsa e treta në listë ishte Fatjona Memçaj. Fatjona Memçaj ka marrë 8 vota pro, 16 kundër dhe 87 abstenim.

Pas votimit në Kuvend, Çela ka bërë betimin për të marrë zyrtarisht detyrën.

Karriera e Olsian Çelës

Në mars të vitit 2001 merr me detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Lartë në Tiranë, dhe pas tre vitesh, në 2004-n u emërua prokuror tek Prokuroria e krimeve të Rënda.

Në vitet 2008-2012 ka qenë  drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërsa është caktuar përkohësisht edhe si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Berat vitin e kaluar. Për katër vite me radhe, Çela drejtoi Krimet e Rënda, periudhë në të cilën ‘çarmatosi’ grupet e forta kriminale.

Olsian Çela njihet si prokurori i çështjeve të trafikut të drogës ku trajtoi dosjet e bujshme si ‘Xibraka’ që la në burg nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të këtij grupi; ‘Kompas’ që la në burg 32 trafikantët që përdornin prostitutat si korriere dhe çështjen e ‘vrasjes së Mirit të Xhikes, pronarit të Kartodromit’.

Prokurori Olsian Çela ka pasur nën hetim edhe Emiljano Shullazin, çështje për të cilën u përplas edhe me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda në vitin 2017, Donika Prelën.

Prokurorët e Përgjithshëm pas viteve ‘90

1-Petrit Serjani (Maj 1991-Korrik 1992)

2-Maksim Haxhia (Gusht 1992- Nëntor 1992)

3-Alush  Dragoshi (Nëntor 1992- 10 gusht 1997)

4-Arben Rakipi (Gusht 1997- 18 mars 2002)

5-Theodhori Sollaku (Mars 2003 – Nëntor 2007)

6- Ina Rama (nëntor 2007-nëntor 2012)

7- Adriatik Llalla (2012 – 2017)

8- Arta Marku (dhjetor 2017- dhjetor 2019)

SHKARKO APP