Opinioni i Venecias, PD: Meta ka meritë për mbrojtjen e Kushtetutës

Partia Demokratike ka reaguar për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, në një  deklaratë për mediat tha sot se Venecia provoi krimin kushtetues së mazhorancës qeverisëse. Spaho tha se Venecia i dha të drejtë kreut të shtetit në qëndrimet e tij dhe se Presidenti Ilir Meta ka meritë për mbrojtjen e Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë.

“Komisioni i Venecias e faktoi synimin e Edi Ramës për të kapur çdo organ të sistemit të drejtësisë, duke i grabitur Presidentit të drejtën kushtetuese për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka meritën se qëndroi në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk iu nënshtrua presionit kriminal të regjimit në ikje për kapjen e Gjykatës Kushtetuese”,– deklaroi Edmond Spaho.

Nënkryetari i PD-së tha se me këtë kryeministër, shqiptarët po humbasin kohë për integrimin e tyre evropian. “Opinionet e fundit të Komisionit të Venecias, për Gjykatën Kushtetuese dhe për ligjin e censurës së medias, provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën”,- nënvizoi Edmond Spaho.

Spaho tha se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë për krimin kushtetues. “Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është, gjithashtu, vepër e tij me qëllim kapjen e saj. Të dyja janë pjesë e 15 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, të cilat lidhen edhe me një kusht të tretë. Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për legjitimitetin e votimeve të 30 Qershorit të vitit të kaluar. Prandaj Edi Rama e bllokoi dhe nisi konfliktin me Presidentin, derisa të sigurohej se skema e grabitjes së vendeve në Gjykatë Kushtetuese dhe kapja e saj do të funksiononte”,- deklaroi nënkryetari i PD.

SHKARKO APP