Opozita lëshon thirrjen: Te Parlamenti të bllokojmë deputetët

Shqipëria ndodhet në krizë të thellë politike dhe kushtetuese. Opozita ka djegur mandatet e deputetit dhe vendi nuk ka institucionin kryesor kushtetues, parlamentin, aty ku burojnë gjithë pushtetet e tjera. Por mazhoranca vijon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, edhe pse Parlamenti nuk është më pluralist.

Dje Kryesia e Partisë Socialiste, e mbledhur nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, pritej të merrte vendime që kanë të bëjnë pikërisht me situatën e jashtëzakonshme me të cilën po përballet vendi. Por përkundër pritshmërive vendimet e Kryesisë së PS ishin jashtë çdo logjike politike. Forumi më i lartë i PS vendosi për axhendën e kongresit të 23 marsit, si dhe zyrtarizoi qëndrimin e Edi Ramës për të shmangur nga debatet publike çështjen e opozitës. Pra, me urdhër partie, deputetët e PS nuk duhet të diskutojnë më për djegien e mandateve të opozitës dhe nuk duhet të marrë pjesë në debate televizive me përfaqësues të opozitës. Strategjia e kreut të qeverisë është ajo e vazhdimit të qeverisjes sikur s’ka ndodhur asgjë, madje duke e mohuar ekzistencën e opozitës. Kryeministri dhe deputetët e PS thonë se nuk mund të merren me një opozitë që kërkon pushtet në tavolinë dhe një opozitë që i largohet detyrës nga Kuvendi. Pas këtij qëndrimi të qeverisë pyetja shtrohet, a mund të merret seriozisht një qeveri që s’ka më opozitë në Parlament dhe asnjë mekanizëm tjetër kontrollues?

Në linjën e vijimit të qeverisjes sikur s’ka asnjë problem, Partia Socialiste njoftoi dje se të enjten do të zhvillojë seancën e radhës së Parlamentit. Një lëvizje e tillë politike, si dhe provokimi që Edi Rama po u bën tashmë jo vetëm përfaqësuesve të opozitës, por edhe qytetarëve duket më shumë si ftesë për konflikt. Drejtuesit e opozitës, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë paralajmëruar disa ditë më parë se të enjten do të zhvillohet protestë e madhe para Kuvendit. Kërkesat e opozitës tashmë dihen, largimi i Edi Ramës dhe qeveri tranzitore për integrimin në BE dhe garantimin e zgjedhjeve të lira. Në të njëjtën orë me protestën, kryeministri vendos të shkojë në sallën e Kuvendit ku ka vetëm deputetët e PS dhe do të flas për “demokracinë dhe shtetin ligjor” (!). Në sallë do jenë deputetët e PS-së që dëgjojnë Edi Ramën, ndërsa jashtë saj do jenë mijëra qytetarë dhe deputetët e opozitës që dogjën mandatet dhe kërkojnë zgjidhje politike. Sado që Edi Rama mund ta quajë këtë si një proces normal qeverisje, më e pakta është tallje me parlamentarizmin si dhe rënie e gjithë parimeve të demokracisë. Është një teatër i shëmtuar që do ishte mirë që të mos e pranonin e vet socialistët. Por më shumë sesa çështje parimesh brenda PS, vazhdimi i logjikës së Edi Ramës me idenë se “demokracia funksionon edhe pa opozitën” po kthehet në një lojë të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Është tjetër gjë që thuash nuk plotësojë kërkesat e opozitës dhe tjetër gjë të provokosh duke mbledhur seancën ditën e protestës. E para është kokëfortësi, ndërsa e dyta është papërgjegjshmëri politike. Me vendimin që të zhvillojë seancën ditën e enjte, Edi Rama po thellon edhe më tepër ndarjen me opozitën dhe po legjitimon çdo formë reagimi që do të ndërmarrin më pas qytetarët.

Nëse PS dhe qeveria nuk tërhiqen nga ideja për të vijuar seancat sikur nuk ka ndodhur asgjë, atëherë protestat e opozitës duket se nuk do të jenë vetëm jashtë oborrit, por edhe në sallën e Kuvendit. Në qëndrimet publike opozita nuk ka përkrahur dhunën dhe nuk ka lejuar që mbështetësit e saj të sulmojnë institucionet apo zyrtarët e lartë. Por edhe se qëndrimet politike janë për protesta paqësore, sjellja e qeverisë, si dhe provokimet e policisë duket se do të detyrojnë qytetarët që të reagojnë në mënyrë të ashpër ndaj qeverisë. Mund edhe të futen në sallën e parlamentit. Nuk është çudi nëse ndodh.

Gjithsesi ditën e enjte para sallës ku zhvillon punimet parlamenti do mblidhen qytetarë, të cilat kanë vendosur të mos lejojnë të futen në parlament asnjë prej deputetëve të PS-së. Kryeministri do futet nga pas sallës, por për deputetët e sigurtë se nuk do të lejohen, çka do sjellë përplasje.

Po shkohet drejt destabilitetit dhe dhunës, nisur nga mënyra se si vjen reagimi i kryeministrit, i cili tashmë ka urdhëruar që të mos dalin në asnjë studio televzive deputetët e PS kur ka ish-deputetë të opozitës në studio. Edhe kjo gjë nuk ishte dëgjuar prej 28 vitëve. Të enjten ka mundësi që kryeministri ti provokojë edhe fizikisht protestuesit.

Një gjë dihet e saktë: Të enjten protestuesit do rrethojnë parlamentin.

Të presim se si do jetë protesta: E qetë, e dhunshme apo do ti presin me “lule” deputetët e PS! Apo edhe mund të “përqafojnë” kryeministrin mu në sallën e Kuvendit.

Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë, thotë edhe vetë Edi Rama në kengën e tij të para disa vitëve!

Qamil Xhani

SHKARKO APP