Orët e fundit për konsensusin e Reformës në Drejtësi
Partitë politikë janë vënë në lëvizje intensive për të dhënë qëndrimet finale për reformën në drejtësi. Kryetari i Kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta thirri sot në takim në Kryesinë e Kuvendit ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, paraardhësin e tij në këtë post, Nasip Naço dhe kreun e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho.
Po sot, në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ekspertët e opozitës për reformën në drejtësi.
Këto zhvillime mbërrijnë pak orë nga mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për këtë vit. Mbledhja e tij është thërritur për paraditen e së premtes.
Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi do të ketë në fokus kërkesën e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që drafti i hartuar prej tyre për ndryshimet kushtetuese të çohet për ekspertizë në Komisionin e Venecias.
Drafti i eksperteve të nivelit të lartë është i vetmi dokument që do jetë në tryezën e anëtarëve të komisionit, pavarësisht se mediatikisht u bë publik edhe drafti i ministrisë së Drejtësisë, që ekspertët e nivelit të lartë thanë se kanë përfshirë në variantin final edhe disa prej propozimeve të këtij dikasteri. Megjithatë, kjo nuk mbyll diskutimin politik, edhe brenda dy partive të koalicionit PS dhe LSI. Partia Socialiste konfirmohet se do të kërkojë që drafti të çohet në Venecia dhe vetëm pas përgjigjes nga ky organizëm të nisë diskutimi politik.