Oshëtinte muzika serbe për Vuçiçin, ”terror” mbi banorët dhe bizneset

Samiti i ”Shengenit Ballkanik” ka shkaktuar kaos në Tiranë. Pas mbërritjes së Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, në Tiranë qytetarët u irrituan nga trafiku i rënduar, pasi rrugët duhet që të ishin të zbrazura që të kalonin të ftuarit e kryeministrit Edi Rama. Nuk duhet harruar protesta e fuqishme nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshtoi edhe më herët ardhjen e Vuçiçit në Tiranë.

Zona pranë RTSH-së, mbrëmjen e së premtes sipas banorëve u kthye në një shtetrrethim, për shkak të masave shumë të larta të sigurisë, që u morën nga ana e autoriteteve shqiptare. Për shkak se Presidenti serb ishte duke konsumuar darkën në restorantin ”Padam”, shumë prej qytetarëve që kishin banesat e tyre në pallatet ngjitur nuk janë lejuar që të hynin në banesat e tyre, duke qëndruar jashtë për orë të tëra.

Sipas ”Fax web”, në momentet kur darkonte Vuçiç, ofshëtinte muzika serbe, që duket se ”sfumonte” dhe festivalin e muzikës në RTSH që mbahej disa metra më tutje dhe ku këngët pjesëmarrëse ishin shqip. Probleme nga masat e larta të sigurisë kanë ndeshur dhe bizneset pranë ”Padam”, ku njerëzit nuk janë lejuar që të ulen në lokale për minuta të tëra, duke paralizuar në mënyrë të pandershme aktivitetin e tyre.

Kujtimet e luftës janë ende të freskëta në memorien e shqiptarëve dhe sipas tyre Shqipëria nuk duhet të bëjë një marrëveshje me Serbinë, pasi kjo gjë do të destabilizojë qetësinë në rajon. Kujtojmë që Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë pjesë e këtij samiti dhe nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, pasi ata janë kundër një marrëveshjeje me Serbinë.

SHKARKO APP