”Paketa Antishpifje”, eurodeputeti: Shqipëria rrezikon Presidencën e OSBE-së dhe Integrimin
”Shqipëria rrezikon Presidencën e OSBE-së”. David Lega, anëtar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ka reaguar për paketën ”Antishpifje” që mazhoranca socialiste e do ta kalojë për votim në seancën plenare të së mërkurës.
Përmes një reagimi në Twitter, me thirrje të fortë për lirinë e fjalës dhe në krah të opozitës, Lega thekson se nëse qeveria e miraton, vendi ynë mund të humbasë marrjen e Presidencës së OSBE-së dhe vë në rrezik Integrimin e vendit drejt BE-së.
“Nëse Parlamenti shqiptar miraton ligjet e reja për median, ai vë në rrezik kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së. Gjithashtu, ky vendim do të ndërlikojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, rezistenca e fortë nga Partia Demokratike është e mirëpritur.”
Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë paketën antishpifje me pretendimin se ajo nuk u jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.
Siç parashikohet në paketë, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. Ndërkohë, kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.
If the Albanian Parliament approves the new media laws it will risk compromising Albania's OSCE Chairmanship. It will also complicate the EU membership negotiations.
The strong resistance from the Democratic Party is therefore very welcome. #Albania @EP_ForeignAff pic.twitter.com/KDscLkne6C— David Lega (@DavidLega) December 16, 2019