Pas Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë drejt mbylljes dhe Apeli, Manjani: Faleminderit ambasadorë! As komunizmi nuk arriti deri këtu
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar për problemet e shfaqura së fundit në gjykatat e apelit. Si pasojë e reformës në drejtësi, Gjykata e Apelit në Tiranë funksionon me 1/3 e gjyqtarëve. Manjani shprehet se pas mbylljes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, bllokimi i punës në Apel është dështimi më i madh i reformës.
Në një postim në Facebook, Manjani thotë se as komunizmi nuk ja ka bërë këtë falimentim shtetit shqiptar.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit në Facebook:
“Pas mbylljes me sukses të plotë të shërbimit të gjykimit në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me të njëjtin sukses po mbyllet edhe shërbimi i gjykimit në Apel.
Të paktën Gjykata e Apelit Tiranë është me 1/3 e numrit të gjyqtarëve.
“Suksesi” po zgjerohet ndjeshëm edhe në disa gjykata të shkallës së parë. Nuk po flasim më për cilësi gjykimi, por thjesht për gjyqin. Do arrijë të bëhet apo jo?! Sukseset flasin vetë!
Presim edhe përshëndetjen e radhës nga Ambasada Amerikane, për këtë sukses të jashtëzakonshëm në shkrirjen e shtetit Shqiptar. BE të paktën e ka qepur gojën…
I falenderojmë shumë OPDAT, EURALIUS, ONM, ROMANËN e LU-në, por edhe zonjën Kim e zotin Sorecca për këtë shërbim të vyer që po na bëjnë! Falë kësaj refome u anëtarsuam dhe në BE… Mbyllja e gjykatave, për pasojë legjitimimi i keqeverisjes moniste ishte zgjidhja më e jashtëzakonshme që ju bë këtij vendi, falë këtij kontributi.
As Komunizmi nuk shkoi në këtë pikë…
P.S.
Nuk e di a ka temë tjetër më të rëndësishme sesa ngritja e shtetit në këtë vend! Pa shtet s’ka kuptim as politika, as zgjedhjet, as taksat, as prona, as biz esi, as ekonomia, as ligji, as shëndeti, as arsimi, as diplomacia, asgjë…”.