PD-ja duhet hapur, por Berisha dhe Basha duhet të ikin!

Nga Daniel Muçaku-

PD-ja ndodhet në momentin më të zi të historisë së saj. Jo se e tha ish-lideri demokrat Berisha, por kjo duket përditë kur njeri ka vulën e partisë dhe nuk e lëshon, kurse tjetri ka bazën por nuk e gëzon, sepse nuk do ta lenë kollaj të futet në selinë blu.

Berisha ka ndërmarrë së fundmi një lëvizje për të larguar Bashën me moton ndjellëse për një PD më të madhe dhe të hapur. Si slogan duket bukur dhe ashtu duhet realisht, pasi ndryshe kjo PD nuk vjen më në pushtet për dekada rrjesht ose do shkrihet si formacion politik. Por që të mos shkrihet (ndonëse mund të dalin opozita të tjera nga populli) kjo forcë politike e cila rrëzoi komunizmin e tashmë po shkatërron vetveten, ka nevojë që PD-ja të hapet vertet.

Të jetë një PD ku të marri formën e vitit 2004-2005 kur erdhën shumë ish-themelues, kur u futën shumë të rinjë, kur u pranuan edhe ata që kishin qenë kundër Berishës dhe PD-së si metodë drejtimi. Bile tani duhet më e hapur se ato vite, një PD më e civilizuar dhe ku njihen fraksionet e ku në statut vendoset prerë se kush kryetar humb zgjedhjet largohet automatikisht.

Sot Lulzim Basha nuk guxon të dalë në bazën e PD-së. Ai ka grupin parlamentar, kryesinë e partisë, mundet edhe këshillin kombëtar, por jo Kuvendin, pra jo bazën e PD-së. Çdo lloj sondazhi e nxjerrë Lulzim Bashën humbës në elektorat, ndonëse ka ambasadorët dhe kryeministrin Rama në distancë.

Ndërkohë Berisha po lëviz përditë në bazën demokrate e ku duket se ka mbështetës me shumicë. Por kurrsesi Berisha nuk duhet të synojë të kthehet vetë në krye të PD-së, pavarësisht se mund të luajë me lojën e largimit të Bashës dhe të rikthimit të tij. Berisha po e shkund bazën e fjetur të PD-së, e cila e zhgënjyer nga humbjet e shumta të Bashës kishin filluar pesimizmin dhe gjetjen e ndonjë mënyre për të jetuar.

Por Berisha duhet të shpallë publikisht platformën se si do ta rikrijojë PD-në me një lider të ri, ku nuk do jetë Basha, por as Berisha.

Kush mund të jetë nesër përbashkuesi demokrat? Pra që mund të marrë drejtimin e PD dhe të mos çojë në përçarje finale të bazës demokrate.

Natyrisht që dikush duhet, por ai (ajo) nuk duhet ti lihet momentit të fundit. Ai apo ajo nuk duhet të jetë proberishian dhe kundër Bashës. Ndaj Berisha ka nevojë të jetë më konkret dhe jo vetëm të sulmojë Bashën.

PD-ja ka nevojë për përbashkim e jo shkatërrim. PD-ja është aset kombëtar dhe duhet të ringrihet.

Nuk e ngre në këmbë as Berisha dhe as Basha, sepse ky i fundit mbetet prodhim berishian. Berisha po shërben thjesht për një shkundje përgjumje të elektoratit demokrat që janë qindra mijëra.

Nuk duhet vonuar dhe duhet nxjerrë emri kandidat rival ndaj Bashës. Nuk mjafton Berisha. Duhet emër jashtë të dyve!

Kush?

Atë e gjejnë vetë demokratët, edhe sikur të jetë jo demokrat 24 karatsh. Mjafton të jetë intelektual, me ide të qarta se si mund të bëjë një opozitë sa më solide dhe që nesër ti rikthejë në pushtet.

Por jo lider më pushtet siç kishte dikur Sali Berisha apo siç po bën marifete Lulzim Basha.

Duhet emri i liderit të ri të shfaqet. E jo ta zgjedhin në Kuvend si një figurë sa për të rrëzuar Bashën.

Nëse PD-ja mbetet prapë me Berishën apo Bashën si kryetar më mirë të shkatërrohet dhe të shkërmoqet.

SHKARKO APP