PD: Shtyrja me 3 muaj e gjendjes së fatkeqësisë nga qeveria, për të fshehur krizën e rëndë
Partia Demokratike ka reaguar për kërkesën e qeverisë “Rama” për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në zonat e prekura nga tërmeti. Në një deklaratë për mediat, PD thekson se kërkesa e qeverisë nuk ka të bëjë më ndihmën ndaj qytetarëve, por me përdorimin e kësaj situata për të mos i dhënë zgjidhje krizës politike dhe ekonomike në vend. “Me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës. Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe siptaleve të dëmtuar”,- thuhet në reagimin e PD.
Sipas partitë më të madhe në opozitë zgjatja e fatkeqësisë natyrore nuk është e justifikuar, pasi ajo nuk u shërben qytetarëve.
“Duke shtyrë me 3 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, Edi Rama kërkon të fshehë krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën. Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, përsa kohë vendi është në një situatë të tillë”,- deklaroi PD.
PD thekson se në gati një muaj pas tërmetit qeveria nuk ka prezantuar asnjë plan për përballimin e situatës dhe strehimin e banorëve. “Fakti që kjo qeveri nuk është e aftë që brenda afatit kushtetues 30 ditor të bëjë planin e nevojshëm për marrjen e masave që përballojnë fatkeqësinë natyrore, është treguesi më i qartë i dështimit dhe paaftësisë së Edi Ramës për t’u shërbyer në kohë qytetarëve. Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në Mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje”,- deklaron PD.
Partia më e madhe në opozita ka kërkuar nga qeveria që të paraqesë zgjidhjen urgjente për situatën e krijuar dhe të mos mashtrojë më qytetarët. “Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje. Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për menjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje”,- deklaron PD.
https://arkiva.kohajone.com/rama-kerkese-kuvendit-shtyni-gjendjen-e-fatkeqesise-natyrore-deri-me-31-mars-2020/