Pedagogët ultimatum Qeverisë: 1 javë kohë për kërkesat ose bojkot
Asambletë e Fakulteteve të Universitetit të Tiranës i japin qeverisë afat 1 javor për tiu përgjigjur kërkesave të tyre në të kundërt paralajmërojnë bojkot pa afat të mësimit.
Ata kundërshtojnë aktet nënligjore edhe për urdhrat e Kryeministrit të dala muajt e fundit për arsimin. Sipas Asamblesë, këto akte cënojnë IAl dhe profesoratin, si dhe shkelin Konventën Europiane për liritë akademike. Asambleja e Fakultetit të Filologjisë kërkon të sanksionohet me ligj statusi i pedagogut.
Në vendim thuhet që “përfaqësues të Asamblesë të mblidhen për veprime të metejshme”. Edhe Asambleja e Shkencave Sociale mbështet me vendim kërkesat e studentëve dhe propozon hapje debati mes aktorëve universitarë.
“Dekanati të gjeje rrugët për mos penalizimin e studentëve protestues dhe zëvendësimin e orëve të pa realizuara”,-thuhet në vendim. Asambleja e Shkencave Sociale kërkon hartimin e një ligji të ri për arsimin e lartë dhe shprehet kundër fushatës përbaltëse të figurës së pedagogut.
Të mbledhur paraditen e sotme Asambletë vendoën ti drejtohen kryeministrit me kërkesat e paanegociueshme:
Deklarata e plotë e pedagogëve:
Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe ministres së Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, znj. Besa Shahini
Duke njohur dhe duke vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e situatës aktuale në Arsimin e Lartë, dhe më specifikisht në Universitetin e Tiranës,
Me përgjegjësinë më të lartë për të ofruar mësimdhënie dhe kërkim shkencor të nivelit më të mirë për studentët tanë,
Me detyrën për të ruajtuar dhe për të forcuar rolin e universitetit publik në Shqipëri,
Nxjerrim këtë deklaratë:
- Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
- Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
- Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
- Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
- Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme.
Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër.