Për 1 maj, qeveria shkurton nga 10% deri 30% rrogat e sektorit elektroenergjitik
Kryesore E Enjte, 30 Prill 2020 21:02
Nga Artan Hoxha
Për 1 maj, qeveria shkurton nga 10% deri 30% rrogat e sektorit elektroenergjitik. Një lajm i keq për të gjithë punonjësit e tre kompanive energjitike në vend, OSHEE, OST dhe KESH. Nesër më 1 maj, ditën e punëtorëve, personeli i tre kompanive shtetërore, që cilësohen motorri i ekonomisë shqiptare, nuk do të gjejë në llogaritë e pagave të tyre, nga 10% deri në 30% të rrogës së muajit prill. Paga u është ndaluar me një vendim arbitrar dhe të paligjshëm nga Këshilli Mbikqyrës, i datës 22 prill 2020. Në vend të motivoje dhe të kujdeset për personelin prej 9 mijë punonjësish, që mbajnë në punë pa ndërprerje, rrjetin elektroenergjitik shqiptar, që furnizon me energji elektrike 24/24 orë, familjet, bizneset dhe gjithë institucionet e vendit, drejtuesit dhe Këshilli Drejtues i këtyre kompanive, kanë vendosur tu ndalin rrogat duke filluar nga data 1 prill 2020, deri në përfundimin e “Gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, pra për tre muaj me radhë.
Të cilësuar si punonjës në frontin e parë të luftës anti-covid19, së bashku me mjekët dhe Policinë e Shtetit, stafet e OSHEE, OST e KESH, janë vlerësuar për performancën e tyre, duke bërë përpjekjet maksimale, për të furnizuar me energji elektrike, çdo familje apo biznes të vendit, gjatë periudhë së karantinimit. Pavarsisht çfarë premtuan me forcë, dje pasdite, kryeministri Edi Rama, në komunikimin në facebook me qytetarët dhe numri 2 i qeverisë zv/kryeministri Erjon Brace, në një media private, se nuk do të ketë në asnjë mënyrë ulje rrogash për administratën, në të vërtetë ka ndodhur e kundërta.
Kjo nuk është as hera e parë dhe sigurisht nuk do të jetë as hera e fundit, që drejtuesit e vendit gënjejnë publikisht. Vetëm OSHEE, ka një staf prej 7 mijë punonjësish, ndërsa KESH dhe OST, kanëbnga 700-800 punonjës secila. Premtimi se qeveria po përdor fondet e saj, për të mbuluar pagat e luftës për punonjësit e mbetur pa punë gjatë pandemisë, duket se është një tjetër mashtrim.
Në fakt, qeveria po i paguan pagat e lufës, minimale dhe ashtu si janë, vetëm 260 mijë lekë të vjetra, duke ua mbajtur nga rroga punonjësve të kompanive kryesore shtetërore, që mbajnë në këmbë rrjetin elektroenergjitik të vendit. Në vendimin e marrë në heshtje të plotë dhe të mbajtur sekret, nga Këshilli Mbikqyrës i OSHEE, OST e KESH, thuhet qartë se efekti i ndalimit të pagave të punonjësve të tyre, me përshkallëzim, nis nga data 1 prill 2020, deri në datën 30 qershor 2020. Niveli i përshkallëzimit është bërë në tre shkallë. Për OSHEE, fasha e ndalimit të pjesshëm të pagës nis nga punonjësit që paguhen nga 600 mijë lekë të vjetra në muaj, deri në pagat 3 milionë lekë. Ndërsa për KESH dhe OST, fasha e ndalimit të pagës, nis nga niveli 850 mijë lekë në muaj, deri në mbi 2 milionë lekë.
Me konkretisht, te OSHEE, përshkallëzimi është;
Nga 600 mijë lekë deri 1 milionë lekë, paga ndalet 10% nga 1 milionë lekë deri 2 milionë lekë, paga ndalet 20%. Nga 2 milionë lekë deri 3 milione lekë, paga ndalet 30%. I vetmi ndryshim me kompanitë KESH dhe OST, është fakti se fasha e ndalimit të pagës, nuk nis nga 600 mijë lekë të vjetra, por nga 850 mijë lekë të vjetra. Vetëm të kompanitë KESH e OST, që kanë personel sa 10% e stafit të OSHEE, do të përfitohen nga ndalimi i rrogave mbi 50 milionë lekë në muaj. Justifikimi i OSHEE, se punonjësit e saj nuk po punojnë me orar të plotë dhe se kompania ka probleme financiare të dukshme me arkëtimet, mbetet qesharak kur një pjesë e mirë e punonjësve të saj punojnë jo vetëm me tre turne, por dhe me orar të tejzgjatur për të eleminuar defektet teknike. Në këto kushte, kryeministri Rama ose ndryshe flet per publikun dhe ndryshe bën me administratën, ose i kanë dalë jashtë “kontrollit” drejtorat e tij dhe veprojnë me kokë të tyre. Mirë që po u mban rrogën për sakrificën që po bëjnë afro 9000 punonjësit e këtij sistemi, por sëpaku njihu meritën, se nga pagat e atyre që punojnë pa paguhen pagat e luftës, të atyre që kanë mbetur pa punë!
Ne foto:
1)-Vendimi i Këshillit Mbikqyrës i OSHEE, dhe tabela e pagave që ndalen nga 10% deri 30%.
2)-Premtimi i kryeministrit Rama se nuk preken pagat e administratës.
3)-Premtimi i zv/kryeministrit Brace se nuk do të ketë prekje të pagave.