Platforma konspirative e të ashtuquajturit “Shengen Ballkanik”, në kosh!
Nga Tritan Shehu-
Së pari, duhet bërë publike kjo platformë e ofruar nga Vuçiç, që bie ndesh me interesat tona, të cilën treshja Vuçiç-Rama-Zaev po e qarkullojnë fshehurazi në disa ambiente, përpara takimit famëkeq të 21 dhjetorit në Durrës.
Materiali i parë prej 9 pikash, i publikuar pas takimit të Ohrit përpiqet të maskojë të vërtetën me slogane për lëvizjen, integrimin, për CEFTA etj., për të hequr vëmendjen nga ky dokument, që po “lëviz nën tavolina”.
Këtë dosje e njohin deri në disa detaje dhe pak liderë të Kosovës, të cilët nuk duhet ta pranojnë kurrsesi edhe për faktin se aty mjegullohet qenia e asaj Republike si shtet, duke i dhënë prioritet Serbisë.
Po kështu, direkt apo indirekt në atë zbehet dhe roli i Shqipërisë e i shqiptarëve, duke nxjerrë në evidencë përsëri Serbinë.
Ndërkaq, sinkronizimi i këtij projekti me idetë e “Jugosllavisë së Re”, veçanërisht së bashku me “shkëmbimin e territoreve” të artikuluar nga Thaçi, të çojnë te “Serbia e Madhe” e na ekspozojnë para destabiliteteve rajonale.
Gjithashtu ky “projekt” i krijon probleme serioze procesit të integrimit të Rajonit duke qënë sinkron me skeptikët europianë, që synojnë të na mbajnë si një zonë afër, por jo pjesë e BE.
Nga ana tjetër, kjo përputhet me strategjitë e disa vendeve lindore “sponsorizuese”, që po përpiqen ta lënë Rajonin jashtë BE për interesat e tyre të kundërta me tonat.
Në këto kushte, ne duhet të reagojmë ndaj këtij konspiracioni dhe evituar çdo pështjellim midis partnerëve, i përforcuar ky nga gjuha shqipe e përdorur për ta promovuar.