Policia e vrau se kaloi orën policore!

Klodian Rasha, 25-vjeç, është qëlluar dje për vdekje nga një efektiv i Policisë së Shtetit në Tiranë. Ngjarja ka ende detaje të pa sqaruara, por informacionet që ka dhënë policia e shtetit, flasin për një reagim të panevojshëm të oficerit të policisë. Kur kishte mundësi vetëm ta qortonte apo edhe ta linte të ikte pasi nuk po bënte krim. Thjesht kaloi orën policore.

Sipas tre deklaratave që ka bërë Policia e Tiranës dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, i riu ka qenë duke ecur në rrugë rreth orës 01:40 të mëngjesit të djeshëm. Një efektiv policie ka bërë thirrje të ndalojë, për shkak se ka thyer orarin policor për pandeminë. I riu ka ikur me vrap dhe efektivi është vënë në ndjekje të tij. Efektivi i policisë thotë se ka dyshuar se Rasha ka pasur armë zjarri dhe e ka qëlluar atë me dy plumba, pak metra larg banesës së viktimës. Pak orë pas këtij sqarimi Policia e Tiranës doli me një deklaratë tjetër ku thoshte se 80 metra larg vendit të ngjarjes është gjetur një pistoletë dhe një karikator me fishekë. Natyrisht do ta sqarojë prokuroria nëse pistoleta ka qenë e tij, por edhe sikur të qenë (që familjarët e tij e mohojnë në mënyrë kategorike) përsëri ai në momentin e vrasjes nuk ka patur asgjë në dorë. Policia qëllon, sipas ligjit, vetëm nëse personi hap zjarr ndaj policisë ose nëse rrezikohet jeta e policit në përleshje e sipër.

Asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, të paktën deri tani as policia nuk i thotë.

SHÇBA thotë se punonjësi i policisë ka kapërcyer “mbrojtjen e nevojshme”. Megjithatë deklaratat e policisë japin vetëm njërën anë të medaljes, pasi prokuroria si institucion i pavarur ende nuk ka dhënë një version për ngjarjen. Në qëndrimet e policisë ka disa deklarata që duken jo profesionale. Fillimisht thotë se i riu “u largua me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri”. Ndërsa në deklaratën tjetër, pak orë më vonë, shprehet e ka gjetur armën që i përkiste të riut. Familjarët e 25-vjeçarit deklaruan dje se nuk kanë pasur kurrë armë në shtëpi djali i tyre. Ndërkohë arma e zjarrit është gjetur rreth 80 metra larg vendit ku u krye vrasja. Edhe nëse një moment pranojmë se arma i përket të riut, çfarë rreziku ka pasur punonjësi i policisë për ta qëlluar atë kur arma është hedhur në tokë dhe shumë larg vendit ku u qëllua. Ligji për Policinë e Shtetit thotë qartë se një efektiv mund të përdor armën kur ndodhet përballë një kërcënimi konkret. Në çfarë kërcënimi real ka qenë punonjësi i policisë kur Klodian Rasha nuk e ka pasur armën e supozuar në dorë dhe ka qenë duke ikur me vrap për të hyrë në shpi.

Në rastin e ngjarjes në Tiranë, polici ka qëlluar direkt në trup duke e ekzekutuar në vend Klodian Rashën.

Ngjarja e ndodhur dje në Tiranë nuk mund të trajtohet si gabim apo tejkalim kompetencash. Arsyeja se përse Klodian Rasha do ndalohej nga forcat e rendit ishte thyerja e orës policore për pandeminë. Nuk ishte as duke kryer vepër penale dhe as i shpallur në kërkim. Për një motiv të tillë, policia nuk kishte arsye për të nxjerrë armën dhe aq më pak për të vrarë një djalë të ri.

Pas ngjarjes policia dhe një pjesë e mediave pro Ramës bënë dhe një tentativë të turpshme. Në disa media rrodhën lajme se i riu që humbi jetën kishte precedentë penalë dhe në këtë mënyrë, sipas tyre, justifikohej reagimi i policisë. Pra, pas marrjes së jetës së një të riu po tentohet ti hidhet faji viktimës dhe jo policisë. Cilado të ketë qenë e kaluara e 25-vjeçarit, vrasjen e tij nuk mund t’a justifikojë askush. Në SHBA për një ngjarje të ngjashme, u dogjën qytete të tëra dhe shoqëria u ngrit në këmbë për të kërkuar drejtësi. Shefa policie dhe guvernatorë dolën përditë për të kërkuar falje, ndërsa në Tiranë policia bën deklarata gjysmake që fajësojnë viktimën dhe qeveria hesht sikur nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Përgjegjësia e policit që kreu aktin është personale, por ngjarja dhe sjellja e tij frymëzohet nga modeli që kjo qeveri ka për forcat e rendit. Një polici që akuzohet se ishte pjesë e mirëmbajtjes së parcelave me hashash pak vite më parë, një polici që rreh artistët dhe shemb Teatrin Kombëtar pa ligj, një polici që dhunon opozitën dhe helmon me gaz lotsjellës fëmijë dhe gra, një ditë do të shkonte dhe në këtë pikë, te vrasja.

Ndaj sot ekzekutimi me armë pas shpine i një të riu sepse theu orën policore, askujt në Policinë e Shtetit dhe në qeveri nuk iu duket ndonjë hata e madhe, por kanë hallin e ndonjë reagimi popullor.

Deri dje në mbrëmje e morën në mbrojtje aktin dhe askush në qeveri nuk pati kurajë dhe fytyrë të kërkonte të paktën falje. Një i ri 25 vjeç u vra sepse theu orën policore. Kjo nuk është vetëm vepër penale vetëm e një polici, por krim i një regjimi.

Nëse shikon se si reagon policia e shtetit ndaj kujtdo, shikon një polici të dhunshme, arrogante krejt sipas modelit të drejtimit qeveritar të kryeministrit./Mili Xhani/

SHKARKO APP