Presidenti dhe Kryeministri urojnë Pashkët Ortodokse

Kryeministri Rama ka postuar foton e mëposhtëme duke uruar besimtarët: “Gëzuar Pashket Ortodokse!”.

Ndërkohë Presidenti Meta ka postuar një mesazh të gjatë e ku shkruan:

KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!
Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar!
Më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja!
Drita që kurrë nuk perëndon le të na ndriçojë mendjet, të na ngrohë zemrat dhe të ndezë shpresën për ditët më të mira, që shumë shpejt do të vijnë.
Ngjallja e Krishtit është triumfi i jetës mbi vdekjen, i së mirës ndaj së keqes dhe i dashurisë mbi urrejtjen.
Vetëm me dashurinë brenda dhe përreth nesh dhe me shpresën e madhe, që na jep besimi i palëkundur në Zot, ne do të mund të hapim çdo derë, të rrëzojmë çdo mur, të mposhtim padrejtësitë e arrogancën dhe të kapërcejmë çdo vështirësi.
Të ndjekim shembullin e jetës dhe veprës së Krishtit, që na mëson se pavarësisht sakrificave që kërkohen, fuqia e dashurisë dhe e shpresës ka një energji që nuk mund të ndalet dhe as të shpërbëhet.
Të mos harrojmë se vetë Biri i Perëndisë u përplas me djallëzitë, padrejtësitë, intrigat, pabesitë dhe tradhëtinë, me armiqësinë, gënjeshtrat dhe urrejtjet, por na dëshmoi se sa do të pathyeshme të duken, nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë të mirën ta mposhtë të keqen.
Siç na mëson edhe Ungjilli i Shenjtë: “Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”.
NGA MOT GËZUAR PASHKËN!/Ilir Meta/

Postuar nga Edi Rama

Postuar nga Ilir Meta

SHKARKO APP