Meta: Jam president në situatën më të vështirë që ka pasur Shqipëria. Qeveria po tenton të kapë të gjitha institucionet

Presidenti Ilir Meta ka qenë i ftuar sot në forumin “Biseda për tranzicionin”, nën moderimin e profesores Belina Budini në Universitetin Europian të Tiranës.  Kreu i Shtetit tha se Shqipëria ndodhet në një situatë ku parlamenti është njëpartiak, qeveria kontrollon parlamentin dhe parlamenti miraton ligje në shkelje të Kushtetutës.

Jemi në një situatë ku kemi një parlament njëpartiak, një qeveri që kontrollon parlamentin dhe një parlament që miraton ligje preferenciale, jashtë çdo standardi kushtetues, madje në shkelje të Kushtetutës dhe në cenim të interesit publik. Unë jam presidenti në situatën më të vështirë që ka pasur Shqipëria. Që nga viti 2008, kur u bënë ndryshimet skandaloze në Kushtetutë e në vazhdimësi, qëllimisht janë dobësuar themelet e shtetit të së drejtës. Unë kam bërë gjithmonë çdo gjë për të shmangur konflikte, jo për t’i bërë ato. Marrim rastin e Reformës në Drejtësi, e cila u bë vetëm me insistimin tim të jashtëzakonshëm. Shumë aktorë të tjerë politikë bënin lojëra për ta bllokuar. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar prej kohësh që të mos arrihet këtu. U bënë katër vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo i intereson vetëm sjelljes arbitrare të qeverisë për të qenë e pakontrolluar. Qëllimi ka qenë dhe mbetet një, kapja e Gjykatës Kushtetuese”,– tha Presidenti.

Kreu i shtetit shtoi se “ka një përpjekje të qeverisë për të kapur Gjykatën e Lartë, dhe përmes saj edhe 1/3 e Gjykatës Kushtetuese, me vendimin për të hequr betimin e gjyqtarëve te Presidenti. Më tej, u hodh në erë Teatri Kombëtar. Cfarë urgjence kishte? Aq më tepër, kur Kuvendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme. Pse? Sepse ka një vullnet për të krijuar një konflikt artificial dhe për të kapur institucionet më tej. Presidenti ka qenë dhe është gjithmonë në anën e duhur. Presidenti ndonjëherë rrit tonet, kur institucionet nuk funksionojnë. Unë e thërras popullin më 2 mars për t’i thënë se problemi është për ta”.

Ilir Meta ka komentuar rolin e tij si President, se si do të mbahet mend. Meta tha se ai nuk mund të përgjigjej në kohën që është ende në detyrë, ndërkohë që veçoi rastin pas bojkotit të Kuvendit nga opozita dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, duke shtuar se Presidenti u bë mbrojtësi i vetëm i demokracisë në vend. “Jam ende në krye të detyrës nuk di ta them si do mbahem mend, por me kënaqësi e them se pas largimit të opozitës nga Kuvendi dhe mos futjen në zgjedhje, pas përpjekjeve sistematike të kryeministrit për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti ishte i vetmi institucion që punonte që demokracia të mos binte në blackout”,- tha ai. Meta më pas vlerësoi edhe kryeministrin Rama me një “10 me yll” siç tha që e meriton për manipulimin e raporteve dërguar ndërkombëtarëve. “Meriton 10 me yll se ka manipuluar raportet ndërkombëtare, sikur këtu po bëhej çudi me reformat, ne e dinë se po të kishte ecur kështu me reformat do na ishin çelur negociatat. Qeveria ka dalë nga kontrolli i popullit, përpiqet ta intimidojë e frikësojë popullin. Ky nuk është tipari i një vendi demokratik. Ne as pas 2025 nuk i çelim dot negociatat”,- tha Meta.

SHKARKO APP