Presidenti Meta: Jemi në krizë politike, institucionale dhe Kushtetuese. Palët të reflektojnë

Presidenti Ilir Meta deklaroi se vendi është në një krize politike kushtetuese dhe institucionale dhe se për këtë duhet dialog mes palëve.

Gjatë konferencës që pati me presidentin e Sllovenisë, Meta tha se palët duhet të rivendosin normalitetin politik pasi vendi është në pritje për hapjen e negociatave me BE.

“Deklaroj se jemi ne kushte e një krize politike kushtetuese dhe institucionale e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë të vazhdueshme kam apeluar për dialog, për t’i paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që pritet që nga qershori për çeljen e negociatave. Palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë për të rivendosur normalitetin politike kushtetues institucionale. Kur ka vullnet politike dhe nuk vihen interesat personale duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura me dialog” – tha Meta.

Presidenti kërkoi nga palët që të bëjnë hapa mbrapa dhe të reflektojnë për të rivendosur normalitetin politik në vend. “Palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për të rivendosur normalitetin politik në vend. Kur vihen në plan të parë interesat kombëtare, na shtyjnë drejt zgjidhjeve të mençura dhe zgjidhjes politike të kësaj situate”, u shpreh Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/395890207854787/

Konferenca për mediat e Presidentit Meta dhe Presidentit slloven Pahor

Gazetari: Prej disa javësh vendi ka hyrë në një krizë për shkak se opozita parlamentare ka djegur mandatet e deputetëve. A ka në plan Presidenti i Republikës të tentojë apo të organizojë një tryezë për të ulur së bashku zotin Rama, zotin Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës për të zgjidhur ngërçin që ka kapur vendin prej disa javësh?

Presidenti Meta: Nuk do të doja të përqendroheshim në çështje të brendshme gjatë kësaj konference për shtyp me Presidentin e Sllovenisë, zotin Pahor, por nuk mund të ndaloj pyetjet e juaja.

Shumë thjesht mund t’u deklaroj se jemi në kushtet e një krize politike kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kam apeluar për dialog midis palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por mbi të gjitha për t’i paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që u paralajmërua në qershorin e vitit të kaluar për mundësinë e çeljes së negociatave për vendin tonë në qershorin që po vjen. Dhe një ditë pas vendimit të qershorit të kaluar, kam thënë se duhet të fillojmë punën menjëherë me dialog qeveri dhe opozitë, sepse siç iku një ditë – kam thënë – mund të iki dhe një vit dhe mund të mbetemi përsëri në vend.

Kështu që në vijim edhe të thirrjeve të mia të mëparshme që palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për të rivendosur normalitetin politik, demokratik, kushtetues dhe institucional në vend, unë besoj se kur ka vullnet e përgjegjshmëri dhe vihen në plan të parë interesat kombëtare – dhe interesi kombëtar gjithashtu duhet të na motivojë shumë fort për shkak edhe të kohës që po pakësohet, ka të bëjë edhe me një vendim të mundshëm të BE-së për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut – duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura dhe drejt zgjidhjes politike të kësaj situate.

Gazetari: President Pahor, gjatë vizitës suaj në Beograd, i pyetur rreth çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, jeni shprehur pak skeptik, por keni thënë “pse jo”. Tashmë që keni një situatë të tillë dhe deklarata nga të dyja vendet, cili është qëndrimi zyrtar i Sllovenisë për këtë çështje? Madje kam dëgjuar që edhe Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, ka deklaruar që mund të përfshihet Shqipëria dhe Serbia për ta zgjidhur çështjen e Kosovës? Cili është qëndrimi juaj? Kjo pyetje vlen për të dy presidentët.

Presidenti Pahor: Qeveria sllovene ka një qëndrim shumë të frenuar lidhur me këtë çështje. Unë vetë kam marrë kurajo që të jem më i drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që edhe në këtë mënyrë të kemi një zgjidhje paqësore të krizës në favor të paqes, sigurisë, mirëqenies dhe bashkëpunimit, jo vetëm mes dy popujve e dy shteteve, por më gjerë në rajon, mirëpo me kushte të caktuara. Këtu, dua të theksoj edhe një herë se, kjo në pohimet e mia shpeshherë harrohet.

Unë e kam thënë se jam i hapur edhe për këtë variant, nëse të dyja shtetet e ofrojnë një mundësi dhe mbështetin një mundësi të tillë. Nëse ky proces do të menaxhohet në mënyrë të mençur dhe me kujdes, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe me faktorë të tjerë ndërkombëtarë që do të garantojnë një akt apo një përpjekje të tillë të guximshme, të mos devijojnë dhe të mos kalojë në konflikt dhe me kusht që kjo përpjekje “sui generis” mos ta kuptojë asnjë si një hapje të efektit domino, dhe në mënyrë të pakontrolluar do shkaktonte dëme kolaterale në siguri dhe në të gjitha çështjet në rajon.

Nuk jam mbështetës i ndryshimeve të kufijve për të plotësuar kriteret nacionaliste, në këtë pikë dua të jem shumë i qartë, po ashtu nuk mendoj që synimi i një akti të tillë në dialogun mes Vuçiçit dhe Thaçit, që të ecin drejt këtij kriteri. Bëhet fjalë për korrigjim të nevojshme të kufirit, që do t’i mundësojnë të dyja shteteve që të lidhin më lehtë marrëveshjet e bashkëpunimit të tyre. Po ashtu edhe me njohjen reciproke diplomatike, e cila do të mundësojë që të gjitha shtetet në rajon të përfshihen në të ardhmen në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta: Lidhur me këtë pyetje mund t’ju them se Shqipëria është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe që respekton dhe mbështet shtetin e pavarur të Kosovës.

Në këtë drejtim çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është një përgjegjësi që i takon udhëheqësve të Kosovës, të cilët janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e saj dhe çdo ndërhyrje në çështjen e dialogut nga ana e Shqipërisë do të ishte mungesë respekti për institucionet e pavarura të zgjedhura të Kosovës. Në këtë drejtim unë mund të them se përkrah fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë për të garantuar njëherë e përgjithmonë të ardhmen europiane, jo vetëm të këtyre dy vendeve, por edhe për të forcuar të ardhmen europiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Së dyti, edhe një herë dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të nxitur të gjithë drejtuesit e institucioneve të Kosovës, që të bashkëpunojnë ngushtësisht, përfshirë këtu edhe udhëheqësit e opozitës, për të çuar këtë dialog përpara në interesin më të mirë të Kosovës, por edhe të një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën, Serbinë dhe të gjithë rajonin tonë.

Ne do të respektojmë çdo zgjidhje, që institucionet e Kosovës do të pranojnë dhe do të përkrahin në mënyrë demokratike. Përsa i takon marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, ju e dini se që nga koha kur krimineli i Ballkanit u rrëzua dhe nga vetë populli serb me votë, marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë mund të them se kanë qenë shumë të mira dhe Shqipëria gjithmonë ka bërë hapa të guximshëm për të përmirësuar sa më shumë këto marrëdhënie, si në planin bilateral, ashtu dhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe do të vazhdojmë të punojnë pa u lodhur për t’i forcuar këto raporte bilaterale, duke menduar dhe shpresuar që kjo ndihmon edhe për një klimë sa më pozitive edhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, por kurrë duke marrë përsipër për të përfaqësuar Kosovën për çështje që ajo i ka në dialog me Serbinë. Kjo është një çështje dhe një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës.

SHKARKO APP