Presidenti Meta: Akuzat e Bashës për viktimat e pandemisë të hetohen nga drejtësia

Presidenti Ilir Meta deklaroi sonte në një intervistë për “ABC News” se akuzat për menaxhimin e pandemisë duhen të hetohen nga drejtësia.

I pyetur për akuzat e kreut të PD-së për fshehjen e numrit të viktimave të pandemisë nga qeveria, kreu i shtetit tha se institucionet e drejtësisë kanë për detyrë të hetojnë këto akuza.

“Mendoj se prokuroria, i detyrohet popullit për të hetuar dhe për të verifikuar disa akuza konkrete të ngritura jo vetëm nga kryetari i opozitës, Basha që ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar, por edhe kryeministrit i takonte t’i bënte thirrje prokurorisë për të hetuar nëse ka pasur manipulim. Për ne është e rëndësishme, derisa të mbërrijë vaksina e vërtetë, më e mira për të përballuar këtë pandemi, është profesionalizimi, transparenca dhe besimi i publikut. Kjo duhet të kërkohet nga qeveria dhe vetë kryeministri për një mbështetje sa më efektive nga të gjithë këtë periudhë të vështirë dhe dramatike”- tha Presidenti.

Presidenti tha më tej, se hetimi do të ndihmonte për të shkundur institucionet.  “Prokuroria e ka për detyrim ndaj popullit, duhet të hetojë edhe një falsifikim të thjeshtë, dhe jo në rastin kur ka një akuzë publike për një çështje të madhe që ka të bëjë me jetën e qytetarëve shqiptarë. Hetimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur, por edhe parandalimin në të ardhmen dhe kjo do të ndihmonte për një shkundje të gjitha institucioneve, një bashkëpunim më efektiv, më të përgjegjshëm për të përballuar pandeminë”,- tha Presidenti Meta.

SHKARKO APP