Presidenti Meta falënderon Kosovën në ceremoni zyrtare në Prishtinë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi sot një ceremoni zyrtare në Prishtinë për të vlerësuar Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës për heroizmin, solidaritetin dhe sakrificat e bëra gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Forcat e Sigurisë së Kosovës ishin forcat e para, të cilat u nisën drejt Shqipërisë për të ndihmuar banorët e prekur në Durrës dhe në Thumanë.
Presidenti Meta, gjatë fjalës së tij në ceremoni tha se “me ndihmën tuaj të pashembullt, na dhatë forcë. Çdo vend i NATO-s do të merrte shembull nga Kosova. Kosova me zemër të madhe ka bij e bija trima, të cilët do t’i falënderoj secilin prej tyre. Tërmeti ishte i fortë por themelet e solidaritetit tonë kombëtar ishin me të forta se kurrë, shtoi ndër të tjera kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, theksoi se të bashkuar nuk ka termet që na ligshton.
Në një mesazh në rrjetet sociale, pas ceremonisë presidenti Meta shkruan: “Në mirënjohje të thellë, për sakrificat dhe solidaritetin vëllazëror, gatishmërinë e pashoq dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të treguar që në momentet e para pas tërmetit të 26 nëntorit, pata nderin të vlerësoja sot në Prishtinë, Forcat e Sigurisë, Njësinë Operacionale të Policisë dhe të gjitha ekipet e kërkimit dhe shpëtimit të Kosovës. FALEMINDERIT SHPËTIMTARË! FALEMINDERIT KOSOVË! ??❤?? “.
Heronjtë e termetit, Meta nderon me Dekoratën e Artë të Shqiponjës ekipin e kërkim-shpëtimit nga Kosova
Kosova ishte e para që ju gjend pranë Shqipërisë në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit.
Ishin grupet e kërkim-shpëtimit nga Kosova që mundësuan shpëtimin e dhjetëra njerëzve nën rrënoja. Për heroizimin dhe solidaritetin vëllazëror, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e Artë të Shqiponjës Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.
Në fjalën e tij Presidenti Meta ndërsa nuk kurseu falenderimet për shtetin dhe popullin e Kosovës, tha se termeti provoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
“Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë së saj por edhe të policisë që demonstruan profesionalizëm të lartë dhe bashkëkohor. Ju shpëtuat shumë jetë, ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira”, tha Meta.
Ramush Haradinaj: Të bashkuar nuk ka tërmet që na ligështon!
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në Prishtinë, ku i pranishëm është edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili ka udhëtuar sot drejt Prishtinës për të vlerësuar punën e FSK-së së Kosovës tha se kur Kosova dhe Shqipëria janë bashkë nuk ka tërmet që i ligështon shqiptarët.
Më tej, Ramush Haradinaj tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë më terrin e vetmisë së madhe dhe kjo sipas tij, u faktua nga ndihmat dhe solidariteti që treguan shumë vende të rajonit, por jo vetëm.
“Ne nuk jemi në dimrin e vetmisë së madhe. Na erdhën në ndihmë shumë miq, dhe kjo është një rrugë e duhur se ne jemi të rreshtuar në drejtimin e duhur. Pasi i qajtëm dhe i varrosëm njerëzit tanë, tani nis beteja e vërtetë për të gjallët. Ne jemi unik si kurrë më parë, të majtë dhe të djathtë, të ngrihemi mbi interesat dhe të punojmë për ta. Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha resurset që në orët e para të 26 nëntorit fatal. Vetëm kjo Kosovë na bën më të vlefshëm për Shqipërinë dhe për rajonin, SHBA, NATO. Të bashkuar nuk ka tërmet që në ligështon. Urime 107-vjetori i Forcave të Shqipërisë.”-tha ai.