Presidenti Meta i kthehet ashpër udhëheqësit të Iranit: Shqipëria nuk është vend djallëzor
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë të mërkurën se Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.
— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) January 8, 2020
Komentet e tij pasuan deklaratat e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili më herët gjatë ditës së mërkurë, foli për “një vend shumë të vogël, por të djallëzuar evropian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, duke iu referuar Shqipërisë, meqë në këtë vend konsiderohet se janë strehuar rreth dy mijë pjesëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (MEK).
Reagimet e Khameneit kanë ardhur pas sulmit që ka nisur Irani në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në dy baza ushtarake amerikane në Irak.
Televizioni shtetëror iranian ka thënë ky sulm është hakmarrje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vrarë komandantin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani një javë më parë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se asnjë ushtar amerikan nuk është plagosur në këto sulme dhe se për aq kohë sa ai është president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.