Presidenti Meta: Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar për vuajtjet e qytetarëve në kufi
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta doli këtë të hënë në një konferencë për shtyp, ku u shpreh i tronditur me situatën që u krijua në Kakavijë. Për kreun e shtetit, qeveria fajin ia la Greqisë. Nga ana tjetër, Presidenti ka kërkuar ndjesë në emër të shtetit shqiptar për vuajtjet e qytetarëve në kufi.
”Ditët e fundit jeni tronditur nga situata humanitare që u krijua në Kakavijë. Të moshuar, fëmijë u lanë në kushte teje të vështira. Kam bashkëpunuar me qeverinë, për të kapërcyer sa më parë situatën e pandemisë në vendin tonë. Situata ka të bëjnë me përgjegjësitë e pamarra nga qeveria shqiptare. Qeveria vë gishtin tek pala greke, por është përgjegjësia e saj të marrë përsipër zgjidhjen e situatës. Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare. Situata të tilla ka edhe në kohë normale, sidomos në Kakavijë në muajin gusht, por në këtë kohë pandemie kërkohej një sensibilim, që të parandalohej ajo që ndodhi. Radhët e gjata janë të pajustifikueshme. Këto situata cënojnë integritetin e shtetit dhe rrezikojnë shëndetin e njerzëve”,- tha kreu i shtetit.
Gjatë konferencës, Presidenti Meta u pyet edhe për ndërhyrjen e Pandeli Majkos tek Kryepeshoki Janullatos, por theksoi se qeveria shqiptare sposton debatin tek gjëra që nuk kanë kuptim.
“Nga dita e nesërme do t’i çoj një kalendar qeverisë për të parandaluar situata të tilla, si Pashkët, Viti Ri, pra kohët kur vijnë dhe ikin emigrantët. Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pakuptim, qeveria greke edhe për të drejtat e një personi shqiptar me shtetësi greke e bën detyrën vet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo ishte detyrë e qeverisë shqiptare. Rama ka përgjegjësi për të, si kryeministër dhe si ministër i Jashtëm. Ka detyrime ndaj qytetarëve të saj. Ne e dimë shumë mirë se ku është frekuenca më e lartë e qytetarëve shqiptarë. Këto gjëra nuk u bënë dhe u krijua një situatë e jashtëzakonshme dhe spostojmë debatin në gjërat që nuk kanë kuptim. Ne fajësojmë edhe viktimat e kësaj situate. Për kushtetutën do flasim në shtator”,– tha Presidenti.
Meta i ka bërë thirrje qeverisë, që të sigurojë tamponë falas për emigrantët. Sipas kreut të shtetit, është e pamunduar që një familje të paguajë 120-140 euro për tamponë.
“Dua të falenderoj median për rolin e veçantë që luajti për sensibilimizmin. Falënderoj gazetarët që kontribuan për shëndetin e familjarëve, të cilët kontribuan edhe për shpëtimin e një fëmijë 11 vjeç. Jemi një vend rekord për emigrantë. Të gjithë strukturat duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve. Qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qytetarët. Një tampon nga 120-140 euro është i papërballueshëm. Qeveria duhet të subvencionojë tamponat dhe të marrë masa që situata në Kakavijë të mos përsëritet kurrë”,– deklaroi kreu i shtetit.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/2777927399153332/?q=ilir%20meta&epa=SEARCH_BOX