Presidenti Meta: Kriza politike po dëmton ekonominë, duhet urgjentisht dialog
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga palët politike nisjen urgjentisht të dialogut dhe bashkëpunimit për të shmangur krizën ekonomike dhe largimin e investitorëve nga vendi.
Në një mesazh në Facebook, Presidenti u është referuar të dhënave të agjencisë ndërkombëtare ekonomike, Fitch, sipas së cilës investitorët e huaj kanë ulur vlerësimin për Shqipërinë. Kreu i shtetit shprehet se veç faktorëve të tjerë, kriza politike në vend ka ndikuar në përkeqësimin e imazhit të Shqipërisë për biznesin e huaj që do të investojë këtu.
“Dua të shpreh shqetësimin për raportin e agjencisë prestigjoze ndërkombëtare Fitch për vitin 2019, sipas së cilës Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8, në 53.5. Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend”,- shprehet Presidenti.
Duke bërë apel për nisjen e dialogut politik, sipas kushteve të Bundestagut gjerman, Presidenti shprehet se Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë e investitorëve huaj nëse klasa politike nuk reagon.
“Ndaj duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut. Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë”,- shprehet kreu i shtetit.