Presidenti Meta: Përballë një junte duhet reagim
Ilir Meta foli dje hapur, ndaj duhet që mazhoranca të japë përgjigje në zgjidhje të kësaj situate të paprecedentë, sepse nuk kemi as Parlament, as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë, as Prokurori të pavarur, as liri biznesi, as liri medie dhe ku bandat kriminale janë të lidhura me pushtetin. Në të kundërt, Rama dhe Meta do luftojnë në tapetin e luftës së afërt dhe si rregull Ilir Meta ka treguar se e njeh mirë artin e betejës ballë për ballë.
Në kulmin e krizës politike në Shqipëri, kur afrimi i palëve duket i pamundur dhe ndërkombëtarët “po rrinë dhe vështrojnë”, Presidenti Ilir Meta ka bërë deklarata të forta duke kërkuar nga klasa politike të mos e çojë më tej vendin drejt përplasjeve dhe konfliktit. Nga qyteti i Pogradecit, kreut i shtetit foli pa nënkuptime dhe duke zgjedhur t’u drejtohet jo vetëm politikanëve që kanë përgjegjësi për krizën, qytetarëve shqiptarë, por edhe ndërkombëtarëve. Në qëndrimet e Presidentit është jo vetëm përgjegjësia e kreut të shtetit, por dhe ajo e një politikani të përgjegjshëm që kupton se nëse kriza nuk zgjidhet në kohë, pasojat do të jenë të rënda për vendin. Kreu i shtetit theksoi në deklaratën e tij, se situata kritike në vend nuk mund të cilësohet “normale”, siç po bën aktualisht mazhoranca. Gjithashtu konfirmoi dhe një herë qëndrimin e tij se djegia e mandateve të deputetëve të opozitës është një akt i papranueshëm. Por pavarësisht kësaj, mënyra që është zgjedhur për të zëvendësuar deputetët duke krijuar një “opozitë të re” me opozitën reale që është në rrugë dhe në protesta, do të sillte vetëm thellimin dhe përshkallëzimin e krizës me pasoja të rënda, të paparashikueshme. Në mënyrë të qartë, ndryshe nga sa deklaron Qeveria se do të vazhdojë reformat pa opozitën reale duke përdorur deputetët e blerë, Presidentit Meta tha se aktualisht Parlamenti ka vetëm 82 deputetë nga 140 që duhet të ketë normalisht. “Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta. Një qëndrim i tillë mbështetet edhe nga konstitucionalistët dhe juristë të njohur, të cilët thonë se në momentin që subjektet politike marrin vendim politik për të mos qenë të përfaqësuar në Kuvend, KQZ dhe Parlamenti nuk mund t’i zëvëndësojnë. Aq me tepër se Parlamenti me kushtetutë duhet të ketë fiks 140 deputetë dhe në asnjë rast nuk plotësohen, edhe sikur të vazhdojë PS-ja me lojën e “deputetëve të rinj opozitarë”. Duke e cilësuar krizën si shumë të rëndë, Presidenti Meta theksoi se zgjidhja e saj nuk mund të vijë në asnjë mënyrë tjetër përveç kompromisit dhe dialogut. “Nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve, duke respektuar të gjitha ato angazhime, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë urgjentisht për çeljen e negociatave së afërmi”,- deklaroi Presidenti Meta. Pavarësisht vendimit të opozitës për djegien e mandateve, sjellja e mazhorancës sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe ajo që njihet si “blerje” e deputetëve “opozitarë” nga qeveria janë hapa që kanë tejkaluar sjelljen e një shteti normal. Kjo mënyrë reagimi e mazhorancës, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese si dhe gjithë mekanizmave të tjerë, krijon rreziqe të cilat e çojnë vendin në drejtime të paditura. Ndaj jo rastësisht kreu i shtetit foli dhe për junta dhe rënie të parimeve demokratike të vendit. Duke dhënë shembullin e një politikani të përgjegjshëm, Presidentit Ilir Meta deklaroi dje se ka bërë gjithë lëvizjet që i ngarkon detyra për të afruar palët dhe të gjejë një zgjidhje, por derisa aktorët kryesorë që prodhuan kanë treguar se nuk kanë dëshirë të arrijnë, ndaj është i detyruar të bëjë këtë deklaratë. Presidenti Meta shkoi dhe më tej në qëndrimin e tij, duke deklaruar se edhe pse nuk ka asnjë përgjegjësi për situatën është gati të japë dorëheqjen nëse i shërben zgjidhjes së krizës. “Edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar, edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Presidenti foli, ndaj duhet që mazhoranca të japë përgjigje në zgjidhje të kësaj situate të paprecedentë, sepse nuk kemi as Parlament, as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë, as Prokurori të pavarur, as liri biznesi, as liri medie dhe ku bandat kriminale janë lidhur me pushtetin. Në të kundërt Rama dhe Meta do luftojnë në tapetin e luftës së afërt dhe si rregull Ilir Meta ka treguar se e njeh mirë artin e betejës ballë për ballë.