Presidenti Meta pret në takim Kreun e Kuvendit. Presidenca zbardh detajet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kreu i Shtetit theksoi se pas publikimit të Opinionit të Komisionit të Venecias mbi procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, është tejet e rëndësishme që rekomandimet e Komisionit të vihen menjëherë në zbatim.

Duke ripërsëritur domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha institucioneve me qëllim ripërtëritjen dhe bërjen funksionale sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Presidenti Meta shprehu gatishmërinë e Tij të plotë për të nisur menjëherë punën për një interpretim unik të rekomandimeve dhe bashkërendimin për zbatimin kushtetues dhe ligjor të tyre.

Kreu i shtetit theksoi edhe një herë se ky proces tashmë është nën monitorimin jo vetëm të Komisionit të Venecias, por edhe të Bashkimit Europian, Bundestagut gjerman, parlamentit holandez, danez, etj, vlerësimi i të cilëve do të jetë kyç për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejë bashkëpunimi gjithëpërfshirës edhe për zbatimin e 15 kushteve të BE.

Kryetari Gramoz Ruçi duke mirëpritur ftesën e Presidentit Ilir Meta për këtë takim dhe bashkëndarë të njëjtën pikëpamje mbi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, theksoi se e konsideron të papranueshme zvarritjen e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë nga institucionet e pavarura.

Kryetari Ruçi, theksoi se Kuvendi i Shqipërisë në rezolutat e miratuara gjatë raportimeve vjetore të organeve të qeverisjes së sistemtit të drejtësisë (KLGJ KLP), ka vendosur detyrimin e këtyre organeve për të plotësuar sa më shpejt të gjitha vakancat për në Gjykatën e Lartë. Presidenti Meta dhe Kryetari Ruçi, ranë dakord për nisjen e menjëhershme të punës nga ekspertët e të dy institucioneve për identifikimin e të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim urgjent dhe afat-mesëm, dhe dakordësimin e masave që do të duhet në ndërmerren në zbatim të tyre.

SHKARKO APP