Presidenti Meta publikon videon e 30 viteve më parë: Përballja finale me diktaturën

Një ditë para manifestimit të 2 marsit, mëngjesin e kësaj të diele, Presidenti Ilir Meta ka publikuar një video të 30 viteve më parë të Lëvizjes Studentore dhe përmes saj i’u kërkon të gjithëve të bashkohen në “Besëlidhjen e dytë” që bota të dëgjojë thirrjen e popullit shqiptar.

“Kurrë nuk e mendoja se pas 30 viteve do të vinte kjo ditë, që të ftoja më 2 mars të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të mbrojtur fitoren më të madhe të popullit tonë, pluralizmin politik, lirinë dhe demokracinë. Vetëm paprekshmëria e Kushtetutës dhe ndëshkimi i merituar i puçistëve që e kanë dhunuar atë, do ta mbrojë popullin tonë nga instalimi i një regjimi tiranik njëpartiak dhe kleptokratik”.

Kreu i Shtetit shkruan se Arben Imami e ka thirrur atë dhe disa studentë të rinj për të shkuar në përballjen finale me kupolën e diktaturës, “që u detyrua të pranonte kapitullimin e regjimit më të pashembullt shtypës dhe izolues në kontinent.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Kurrë nuk e mendoja se pas 30 viteve do të vinte kjo ditë, që të ftoja më 2 mars të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të mbrojtur fitoren më të madhe të popullit tonë, pluralizmin politik, lirinë dhe demokracinë.

Vetëm paprekshmëria e Kushtetutës dhe ndëshkimi i merituar i puçistëve që e kanë dhunuar atë, do ta mbrojë popullin tonë nga instalimi i një regjimi tiranik njëpartiak dhe kleptokratik.

Po ndaj me ju disa emocione të miat kur një nga ish-drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore, Arben Imami më thërriste mua dhe disa studentë të rinj për të shkuar në përballjen finale me kupolën e diktaturës, që u detyrua të pranonte kapitullimin e regjimit më të pashembullt shtypës dhe izolues në kontinent.

Le ta dëgjojë nesër e gjithë bota demokratike thirrjen e popullit shqiptar: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

SHKARKO APP