Meta sulmon Dvoranin: ‘Katica’ i reformës, nuk ka rilindje që të shpëton nga përgjegjësia penale
Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për deklaratat e përfaqësuesve të PS-së që kanë sulmuar anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Duke i cilësuar këto qëndrime si presion politik, Presidentit Meta thotë se personi i vetëm përgjegjës për situatën në Gjykatën Kushtetuese është Ardian Dvorani.
Presidenti e krahason atë me prokuroren e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, që u arrestua pak muaj më parë për korrupsion dhe shantazhe ndaj drejtuesve të institucioneve.
Postimi i plotë i kreut të shtetit:
“Skandaloz presioni politik ndaj KED dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha! I vetmi përgjegjës për aktet kriminale të militantit Ardian Dvorani është vetëm ai, përndryshe Katica jonë i Reformës në Drejtësi. Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale. Katica jonë bëri një akt shumë më të rëndë se vendosja e gjobës së një biznesmeni. Katica jonë donte të vidhte gjithë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!”