Presidenti Meta: Topana u ndez tym e flakë. Betejat heroike, dëshmi e atdhedashurisë dhe urrejtjes ndaj pushtuesit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nderuar luftën heroike të atdhedashsëve në lagjen Topana në Vlorë. ”Topana një nga lagjet më antifashiste të Vlorës, u ndez tym e flakë dhe mbajti frymën për orë të tëra nga krismat e gjëmimet e një prej betejave më heroike të Luftës Antifashiste”,- shkruan kreu i shtetit.
Presidenti thotë se rinjtë Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Barjam Tushi dhe Hiqmet Buzi ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë, ”duke shkruar me gjakun e tyre një nga faqet më të ndritura të Epopesë së Lavdishme të LANÇ-it, dhe kaluar në përjetësi me trimërinë e patriotizmin deri në vetëmohim, si burim i përjetshëm frymëzimi për të gjithë gjeneratat e reja në betejat për liri”, thekson më tej Meta.
Më tej Meta shkruan se heroizmi i tyre shtoi urrejtjen për pushtuesit dhe frymëzoi dhjetëra mijëra të rinj për t’iu bashkuar Lëvizjes Antifashiste dhe formacioneve partizane. ”Gjaku i tyre nuk shkoi dëm! Heroizmi i tyre shtoi urrejtjen për pushtuesit dhe frymëzoi dhjetëra mijëra të rinj për t’iu bashkuar Lëvizjes Antifashiste dhe formacioneve partizane”.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
“Përdhesë e vogël në Topana, Kish mure kallamash, po u bë kala…” 🇦🇱
Si sot, 78 vjet më parë, në 18 tetor 1942, Topana një nga lagjet më antifashiste të Vlorës, u ndez tym e flakë dhe mbajti frymën për orë të tëra nga krismat e gjëmimet e një prej betejave më heroike të Luftës Antifashiste.
Rreth 400 milicë fashistë e bashkëpunëtorë të tyre, të informuar nga spiunë e tradhëtarë, kishin rrethuar në pabesi shtëpinë e Murat Lamçes, ku strehoshin katër të rinjtë antifashistë, Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Barjam Tushi dhe Hiqmet Buzi. Thirrjes së armikut për t’u dorëzuar, ata ju përgjigjën me plumba dhe granata, ashtu siç thonë edhe vargjet e popullit “trimat lindin po kurrë nuk vdesin, plumbat në gjoks i presin dhe vatanin nuk e shesin”.
Të katër ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë, duke shkruar me gjakun e tyre një nga faqet më të ndritura të Epopesë së Lavdishme të LANÇ-it, dhe kaluar në përjetësi me trimërinë e patriotizmin deri në vetëmohim, si burim i përjetshëm frymëzimi për të gjithë gjeneratat e reja në betejat për liri.
Heroizmi i tyre i gdhendur fort në memorien e Vlorës trime e të mbarë kombit shqiptar, do kujtohet gjithmonë me nderim e respekt, edhe si detyrim moral për t’i përjetësuar dhe ngritur më lart kujtimin e veprën e tyre. Betejat heroike të Tre Heronjve të Shkodrës, të Vojo Kushit dhe shokëve të Tij në Tiranë dhe të Katër Heronjve në qytetin e Vlorës ishin dëshmia më e madhe e atdhedashurisë dhe urrejtjes ndaj pushtuesit.
Populli i Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës, për orë të tëra pa heroizmin dhe trimërinë e të rinjve antifashistë për të sakrifikuar dhe jetën në emër të Lirisë dhe Dinjitetit Kombëtar. Gjaku i tyre nuk shkoi dëm! Heroizmi i tyre shtoi urrejtjen për pushtuesit dhe frymëzoi dhjetëra mijëra të rinj për t’iu bashkuar Lëvizjes Antifashiste dhe formacioneve partizane.
I PËRJETSHËM KUJTIMI I HERONJVE TË POPULLIT, HAJREDIN BYLYSHI, MUMIN SELAMI, BARJAM TUSHI DHE HIQMET BUZI! 🇦🇱 LAVDI TË PËRJETSHME DËSHMORËVE TË ATDHEUT! 🇦🇱