Presidenti takon Salianjin: Procesi ndaj ish-deputetit të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianji, i cili një ditë më parë u dënua nga gjykata e shkallës së pare me 1 vit burg për çështjen “Babale”.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi njofton se takimi u zhvillua “për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij”.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kreu i Shtetit e inkurajoi ish-deputetin Salianji, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.
“Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive. Kreu i Shtetit e garantoi z.Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”,- bëri me dije Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.