Presidenti: Zgjedhjet janë kryekusht për integrimin. Ndëshkim për këdo që prek një votë

Presidenti Ilir Meta ka theksuar sot edhe një herë rëndësinë që kanë zgjedhjet e 25 prillit për integrimin e vendit. Deklarata e tij vjen një ditë pasi Komisioni i Jashtëm i PE miratoi projekt rezolutën për Shqipërinë. Kreu i shtetit tha se “kjo rezolutë thekson edhe një herë problemet më të mëdha që ka Shqipëria përpara. BE e mbështet integrimin e Shqipërisë, por nuk do bëjë asnjë kompromis apo lëshim të kushteve të vendosura në 25 mars të vitit të kaluar. Pra rruga evropiane kalon vetëm përmes plotësimit të të gjitha kushteve”.

Zgjedhjet e 25 prillit janë “vendimtare që Shqipëria ose të përparojë me shpejtësi në negociata ose të mbetet përsëri në vend numëro, apo më keq të bëjë hapa prapa”, theksoi Meta.

Presidenti tha në fjalën e tij në konferencën me mediat se liria e medias që vijon në trysni të jashtëzakonshme përbën një tjetër vijë të kuqe për Shqipërinë. “Jam i bindur se populli shqiptar vijon të gëzojë mbështetjen e Evropës e është i ndërgjegjshëm se ai do i japë zgjidhje problemeve e pengesave që na duhet ti kalojmë përmes zgjedhjeve demokratike”.

Presidenti tha se nuk ka mbetur edhe shumë kohë nga dita e zgjedhjeve dhe e vuri theksin tek nevoja që qytetarët të informohen dhe edukohen për mënyrën se si do votojnë këtë herë por edhe për marrjen në konsideratë të shtyrjes së afatit të vlefshmërinë se dokumenteve të identifikimit”.

Sot jemi 50 ditë larg ditës së zgjedhjeve dhe zgjedhësit nuk janë informuar për mënyrën e re të votimit. Rëndësia e jashtëzakonshme si kryekusht për të ecur me një ritëm tjetër në çeljen e negociatave, nga shoqëria civile u theksua zgjatja e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit. 800 mijë zgjedhësve u ka skaduar, nevoja e funksionimit të shpejtë e efikas të organeve të drejtësisë për të hetuar të gjitha krimet zgjedhore. Një shqetësim tjetër është shtimi i aktiviteteve të ndaluara me ligj, si koncesionet, tendera publike, leje, legalizime, ligje me impakt elektoral, të ndaluara qartë nga kodi zgjedhor”, tha Meta.

Kreu i shtetit deklaroi se qytetarët duhet të kuptojnë rëndësinë që ka vota dhe e drejta e tyre kushtetuese për të vendosur për të ardhmen e vendit. “Për mua nuk kanë rëndësi koalicionet dhe emrat, por që qytetarët të votojnë në mënyrë normale, që kandidatët të jenë të pastër dhe të mos përfshihen kriminelë.  Do të ndëshkojmë në mënyrë të merituar këdo që do të përpiqet të prekë një votë dhe të dëmtojë të ardhmen e vendit. Gjithë qytetarët, në mënyrën më të qetë, më civile të mos ndikohen nga presionet, as nga sondazhet e oligarkisë që duan të krijojnë idenë e mos ndryshimit. Të gjithë të kuptojnë se vota e tyre është fuqia reale që kanë për të ndryshuar Shqipërinë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme jo për 4 vite që vijnë, por për 100 vite që vijnë, që Shqipëria të fitojë kredencialet demokratike.

Tani ka vetëm një gjë rëndësi, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, të shprehen të lirë dhe të informohen të gjithë për të gjitha figurat e lidhura me krimin”,- deklaroi kreu i shtetit.

SHKARKO APP