Presidenti dhe presioni ndërkombëtar detyrojnë kryeministrin të tërhiqet nga censura
Partia Socialiste ka bërë një lëvizje taktike për paketën e ligjeve “anti-shpifje” që pritej të votohej dje në Parlament. Dy ligjet që janë cilësuar si rikthim i censurës në Shqipëri dhe nuk u dekretuan nga Presidenti Ilir Meta, ishin planifikuar të kalonin për votim pas asnjë ndryshim nga ana e mazhorancës. Në momentet e fundit, socialistët vendosën që të shtyjnë votimin e tyre duke argumentuar se do të pritej opinioni i Komisionit të Venecias, i cili do të vendosë nëse këto ligje cenojnë standardet demokratike apo jo. Lëvizja që duket si një respektim i Komisionit të Venecias në fakt është zbythje e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama përballë presionit të fortë ndërkombëtar. Pak orë para se PS-ja të merrte vendimin për shtyrjen e ligjeve, raporteri për Shqipërinë në Grupin Partive Popullore Europian në Parlamentit Europian, David Lega, bëri një deklaratë të fortë kundër qeverisë “Rama”. Lega paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, se nëse ligjet e kthyera nga Presidenti Ilir Meta do të rivotoheshin pa asnjë ndryshim nga ana e qeverisë, Shqipëria rrezikonte hapjen e negociatave. Deklarata e David Lega nuk është vetëm qëndrimi i një euordeputeti nga 751 të tillë që nga Parlamenti Europian. Partitë Popullore Europane që përfaqëson Davil Lega janë grupimi më i madh polik në BE dhe qeveritë kryesore të vendeve të BE i përkasin pikërisht këtij kampi politik. Praktikisht deputetët e PE-së nuk e këshilluan, por e kërcënuan qeverinë “Rama” duke i vendosur kushtin e bllokimit të negociatave, nëse ligjet rivotoheshin pa marrë rekomandimet e Presidentit Ilir Meta. Mesazhi i PPE-së në adresë të kreut të qeverisë për ligjet problematike nuk është i vetmi. Pak ditë më parë Zyra e OSBE për Lirinë e Medias në Vjenë doli kundër projektit të Edi Ramës për censurën ndaj mediave. Aq antiligjore ishte paketa “anti-shpifje” e Edi Ramës, sa i njëjti zyrtar i OSBE që e mbështeti, pasi pa draftin e miratuar u detyrua të dalë hapur kundër saj. Në këtë reagim edhe më i rëndë është fakti që OSBE doli kundër shefit të saj të radhës Edi Rama duke ja përplasur hapur faktin që ligjet janë dhunuese dhe modeli më i keq që përdoret në një vend që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.
Si rrallë herë, projekti i qeverisë “Rama” për median ngriti në këmbë shoqatat në Tiranë. Pavarësisht se ku financiohen, shumica e organizatave të shoqërisë civile këtë herë ranë në një mendje që ligjet për mediat nuk ishin reformë, por një formë e re censure e rrezikshme për të gjithë. Përveç deputetëve që votuan në rresht këtë paketë, për herë të parë përfaqësues të mediave, të cilët dihet se janë shumë afër qëndrimeve të Edi Ramës u detyruan, në mos të dilnin kundër të paktën të heshtin dhe të pranonin nën zë se ligjet ishin një pavçavure juridike që të kujtonte kohën e komunizmit. Zhurma që më të drejtë u bë në Tiranë për këto ligje vuri në lëvizje dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, të cilët reaguan disa herë për anulimin e ligjit. Qëndrimet në masë kundër ligjit, si dhe dekreti i anulimit të tyre nga ana e Presidentit Ilir Meta, i cili argumentonte dhe shkeljet kushtetuese të këtij projekti, vunë në lëvizje dhe institucione ndërkombëtare. Këshilli i Europës, dy javë më parë, mori përsipër të ndërhyjë duke dërguar paketën ligjore në Komisionin e Venecias për interpretim. Një akt të tillë Këshilli i Europës e ka bërë vetëm për burgosjen e gazetarëve në Turqi apo për shtete ku nuk ekziston demokracia. Vetë akti i ankesës së Këshillit të Europës tregon se qëndrimi i Edi Ramës ndaj medias tashmë është bërë një shqetësim serioz ndërkombëtar. Në mënyrë ironike, vetëm Ambasada e BE në Tiranë u kujtua që ligjet për mediat kishin probleme serioze, pasi Taulant Balla deklaroi se nuk do t’i votonin pa pritur qëndrimin e Venecias. Nëse PS do vazhdonte marrëzinë dhe do t’i votonte siç janë aktualisht, ka mundësi që kjo ambasadë të përshëndeste votimin si një hap përpara në lirinë e medias. Presidenca e OSBE dihet që mendon njëlloj si Edi Rama, ndaj nuk pret njeri që të flasë ambasadori. Pavarësisht qëndrimeve të munguara ose të vonuara nga diplomatëve të veçuar në Tiranë, fakti është se Edi Rama u tërhoq taktikisht nga votimi i ligjeve. Nuk e bëri këtë se ka ndryshuar mendim për censurën dhe kontrollin mbi mediat, por sepse si asnjëherë më parë institucionet ndërkombëtare e kanë goditur qëndrimin e tij dhe paketën anti-shpifje. Është një sinjal që ndërkombëtarët kanë nisur të kuptojnë problemet reale që Shqipëria me qeverisjen “Rama”. Pas këtij presioni të fortë ndaj kryeministrit që e detyroi të tërhiqet, socialistët duhet të mendohen dy herë para se të thonë se kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve./M.Xh./