Protesta, dështon Saliu!
Nga Daniel Muçaku-
Protesta kishte në fokus takimin Vuçiç-Rama-Zaev dhe kryeministrin Rama në lidhje me keqqeverisjen e tij që sipas opozitës është një qeverisje kriminale.
Ndërkohë pritej që në protestë të kishte dhjetra mijëra vetë, aq me tepër se do vinin dhe nga Kosova, por nuk ndodhi ajo që pritej sepse numri i pjesmarrësve ishte modest.
Natyrisht që mesazhet e ish-kryeministrit në fjalën e tij para kryeministrisë ishin kombëtare dhe korrekte në sensin me atë që ai ka qenë përherë kundër lojës së Serbisë në raport me Kosovën dhe Rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Por duke ditur se Berisha erdhi pas një “Foltore” në çdo rreth e ku të shtunën votuan afro 43 mijë demokratë për shkarkimin e Bashës, duhej që sonte minimumi të kishte një numër mbi 50 mijë veta. Aq me tepër se sonte kishte edhe qindra e qindra kosovarë, në mos mbi një mijë vetë të cilët kishin ardhur nga krejt trojet shqiptare.
Natyrisht që një rol negativ ka luajtur edhe Lulzim Basha e kryetarët e degëve të PD-së në rrethe, por kjo na tregon se nuk qenka pa mbështetje demokrate, Lulzim Basha. Pa harruar edhe krejt makinerinë shtetrore të Edi Ramës e cila punoi që të dështonte në pjesmarrje protesta e sotme në sheshin para kryeministrisë.
Për të qenë realist protesta dha mesazhe të forta dhe paralajmërime se do të kemi përsëri prova force proteste, porse për sonte ishte një dështim nga ajo që pritej nga publiku që e kishte ndjekur betejën Berisha-Basha si një ringritje të opozitës.
Natyrisht që një protestë ka vlerë nga mesazhet që jep apo nga mbajtja gjallë e ndjenjës opozitare. E megjithatë edhe numri i pjesmarrësve tregon shumë.
Berisha e gjallëroi PD-në me “Foltoren” e tij, zgjoi nga përhumbja demokratët dhe bëri të mëndohet kryeministri se nuk ka gjithçka nën kontroll.
Mundet që ishte kohë e shkurtër nga e shtuna kur u lajmërua, mundet që organizimi kishte mangësi, sikurse mundet që edhe Berisha nuk është më ai i vitit 1991 për të motivuar njerëzit.
Edhe një gjë nga protesta; nuk kishte pse të bërtisnin “Berisha, Berisha” protestuesit a thua jemi në vitin 1991!
Duhej dikush të ishte më i kujdesshëm në organizim sepse aty kishte edhe nga shoqeria civile apo parti të tjera, të cilët nuk e kanë idhull Berishën.
Edhe një arësye tjetër mund të jetë se nuk ishte protestë direkte kundër Edi Ramës, pra që lidhej me krimin, korrupsionin dhe varferinë.
E megjithatë me mirë që ndodhi se sa pa protesta siç po bën Basha!

KOHA JONË SONDAZH

