Protestë e banorëve të Kuçit dhe Lumit të Vlorës: Po na marrin lumin!
Një protestë e rrallë ndodh në Vlorë. Banorët janë ngritur për të mbrojtur lumin e tyre, që sipas tyre “duan të na e marrin”.
Banorët e Kuçit dhe të fshatrave të Lumit të Vlorë, bashkë me aktivistë dhe ambientalistë të zonës janë ngritur paraditen e kësaj të shtunë ne protestë në fshatin Drashovicë për të kundërshtuar devijimin e lumit Shushicë nga burimi në Lëpushë drejt bregdetit të Himarës.
Ata nuk pranojnë që ky lumë i mrekullueshëm qindravjeçar të devijohet, por të vazhdojë të rrjedhë në shtratin e tij qindravjeçare,
“Të vazhdojë të jetë si deri tani një burim i pashtershëm jete e begatie për ne që e kemi lidhur jetën me këtë vend të mrekullueshëm, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, – thonë ata. – Devijimi i lumit i shërben vetëm një qëllimi, që është në dëm të gjithë banorëve të mbi 30 fshatrave që prej shekujsh jetojnë në dy anët e lumit, braktisjes dhe shpopullimit të zonës.”
Protestuesit, me parulla dhe flamuj kanë bllokuar rrugën e Drashovicës dhe është dashur ndërhyrja e Policisë, siç shihet nga pamjet.
Ambientalisti Abdulla Diku tregon mbi këtë lumë: Shushica është degë e rëndësishme e Vjosës, i cili rrjedh sipas drejtimit jug-veri, në Vlorë. Lumi i jep hijeshi të pamatë gjithë luginës e cila rrethuar me male të larta nga tre anët (lindje, jug, perëndim) zbukurohet hijshëm prej këtij lumi.
Ka gjatësi 81.6 km, sipërfaqe 715 km2 dhe lartësi mesatare 540 m. Fillon ndërmjet malit të Thatë e Gjoshnikoshit, në lindje të fshatit Kuç.
Ndërkohë deputetët e PS të zonës nuk duken nga frika e qeverisë.
Deri në afërsi të tij, lumi mban emrin Zhuri i Kuçit. Më tej, tek Buronjat (e Kuçit), ku dalin ujëra më të shumta e të ftohta, pasi derdhet përroi i Thatë, merr emrin Shushicë. Degët kryesore janë në krahun e djathtë: përroi i Smokthinës, i Vajzës dhe i Vllahinës. Deri në Brataj ka shtrat të ngushtë e të thellë. Më tej rrjedh në një shtrat të gjerë e me brigje të larta.
Vetë emri ‘Shushicë’ (i thatë) është tregues i terrenit nëpër të cilin kalon, ku një pjesë e madhe e ujit rrjedh nën sipërfaqe.