PS përballë SPAK-ut: Një betejë që shkon përtej Belinda Ballukut
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku është një nga momentet më delikate të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë që nga nisja e reformës në vitin 2016. Nuk është thjesht një çështje penale. Është një provë force për sistemin institucional.
Çfarë kërkon SPAK?
Prokuroria e Posaçme argumenton se janë shfaqur rrethana të reja që e bëjnë të nevojshme masën e arrestit. Dy janë boshtet e saj: Rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët, përmes intimidimit apo joshjes; graviteti i veprave penale, që sipas prokurorëve ekspozojnë të pandehurën ndaj një dënimi të rëndë.
Në praktikën penale, kur prokuroria argumenton rrezik për prishje të provave apo ndërhyrje në proces, gjykata priret të konsiderojë masa më të ashpra. Por barra e provës është e lartë: duhet të provohet lidhja konkrete e të pandehurit me aktet e pretenduara të presionit.
Çfarë thotë mazhoranca?
PS e sheh kërkesën si të tepruar dhe jo të mbështetur në një ndryshim thelbësor të situatës procedurale. Balluku ndodhet tashmë nën masa sigurie (ndalim daljeje jashtë shtetit, detyrim paraqitjeje), të cilat sipas mbrojtjes janë respektuar. Avokatët mohojnë çdo përfshirje në intimidim dhe argumentojnë se nuk ekziston rrezik real që të justifikojë arrestin.
Për socialistët, dilema është e qartë: nëse votojnë kundër, rrezikojnë të perceptohen si pengesë për drejtësinë; nëse votojnë pro, ekspozojnë qeverinë ndaj një tronditjeje të fortë politike. Por edhe për faktin se Belinda Balluku njeh çdo aktivitet të qeverisë dhe te çdo deputeti!
Nuk është vetëm votë, është precedent i pandodhur.
Ky është rasti i parë kur një figurë kaq e lartë e qeverisë përballet me një kërkesë për arrest nga SPAK. Vendimi i Kuvendit do të krijojë precedent: nëse autorizimi jepet, konfirmohet parimi se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.
Nëse refuzohet, mazhoranca do të duhet të argumentojë bindshëm pse masa konsiderohet e pajustifikuar, përndryshe rrezikon të dëmtojë narrativën e saj për reformën në drejtësi.
Çështja zhvillohet në një moment kur Shqipëria është nën vëzhgim të afërt për kapitujt e sundimit të ligjit në procesin e integrimit. Çdo perceptim për ndërhyrje politike në proceset e SPAK do të lexohet edhe në Bruksel. Nga ana tjetër, edhe një përdorim i pamatur i masave të rënda do të ngrejë pyetje mbi proporcionalitetin dhe standardin e provës.
Prokurorët e SPAK Dritan Prençi dhe Dorina Bejko të kryesuar nga Klodian Braho, shefi i SPAK, e vunë theksin në kërcënimin e dëshmitarëve nga persona që Dritan Prençi i konsideroi nën hetim për lidhje me krimin e organizuar. Duke cituar një zëdhënës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike që e ka regjistruar të plotë raportimin në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, prokurori u shpreh se “Përvec personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, por që po hetohet; intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtar publikë, kabineti i ministres, që ka kërcenuar apo tentuar t’i korruptojë dëshmitarët. Nuk japim më shume të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”.
Kjo është akuzë e rëndë, por duket se prokurori Dritan Prençi do të ketë “asa” që do ti nxjerrë në momentin e duhur. Burime të rezervuara tregojnë se kanë rënë në rrjetën e përgjimit edhe pjestarë të njohur të medias.
Kryeministri Rama ndodhet në pozitën me të vështirë te 13 viteve qeverisje, kur ndërkohë me të tjerët e akuzuar apo hetuar nga SPAK i ka dorëzuar menjëherë. Dhe të gjithë përfunduan në burg.
Kjo përplasje mes mazhorancës dhe SPAK mbetet më e forta qëkur u krijua Prokuroria e Posaçme.
Mazhoranca duket hapur se nuk do t’ia heqë imunitetin Belinda Ballukut, kjo u pa hapur sot nga deklarata e Taulant Ballës si shef i grupit të deputetëve të PS.
Por të gjithë janë në ankth se çfarë ka nën mëngë prokurori Dritan Prençi me prokuroren Dorina Bejko.
Që kanë ca fakte bombë, kjo dihet, por kur do ti plasin në publik, kjo akoma nuk dihet!
Mësohet se SPAK ka nën hetim edhe dy ministra aktualë dhe një ish-ministër të PS.
KOHA JONË SONDAZH

