Pse presidenti i parlamentit europian përmendi “Shqipëria po shkon në luftë civile”

Nga Arben Malaj/

Edhe me thonjëza Shqipëria nuk është në luftë civile. Është e vertëtë që situata sociale dhe politike në vend është në krizë. Çdo përpjekje për të mos e pranuar krizën apo për ta fshehur atë e thellon dhe e bënë më të gjatë krizën. Po kështu është e vërtetë që vazhdimi i kësaj situata ku është bojkotuar parlamenti nga partitë opozitare, e dëmton jo pak ambjentin ekonomik, social dhe politik të vendit tonë. Është e vërtëtë që “viktimat” reale të kësaj mënyre të të bërit politike janë qytetarët e thjeshtë të cilët në tranzicionin tonë e gjatë dhe të lodhshëm ju kanë dhënë dhe ri-dhënë mundesinë për ti (mirë) qeverisur të gjitha partive politike dhe pjesës më të madhe të politikanëve aktual.
Është e vërtëtë që shume prej tyre e kanë filluar si demokratë, por kanë udhëhequr në demokraturë.
Është e vërtetë që zhgënjmi është rritur sepse është rritur abuzimi me pushtetin.
Është e vertëtë që qeveritë janë bërë më arrogante, shikoni protestuesit e Astirit dhe dhunën e gjobave
Është e vertetë që kryetarët e bashkive dhe qeveritarët jane larguar nga hallet e njerëzve dhe janë afruar me qeverisjen me poza.
Është e vertëtë që ndërsa në fazat e para të tranzicionit sundonte korrupsioni, më vone është bërë kërcënues kapja e shtetit.
Është e vertëtë që shqiptarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer dhe ata po zgjedhin më mirë të braktisin familjet dhe vendin e tyre të dashur, se sa të vazhdojnë të nëpërkëmbur.
Është e vetëtë që oligarkët po bëhen bashkëqeverisës së vendit duke imponuar politika publike, projekte publike dhe fonde publike, aty ky ata pasurohen më shpejtë duke varfëruar më shumë klasën e mesme dhe e çuar në pragun e mbijetesës pjesën e varfër të shoqerisë.
Është e vertete që e ardhmja jonë mund të jetë më e vështrirë nëqoftëse qeverisja prodhon më pak rritje ekonomike, më pak punësim, më shumë deficit dhe borxhe tek individët, biznesi dhe ai publik
Eshtë e vertëtë që qeverisja me borxh dëmton të sotmen. Me borxhe më të mëdha dhe nesër më të rënda, mund të vështirësoj të ardhmen e gjeneratave të ardhshme.
Është e vertëtë nuk ka gjë më të dhimbshme për çdo familje, për çdo vend, për çdo komb se braktisja nga fëmijëët e tyre, të cilët ikin duke mallkuar politikanët, por me lot në sy për mallin për familjet dhe vendin e tyre.
Ka shumë të vërteta të hidhura të cilat duhet të na zgjojnë nga gjumi.
Por edhe pse është kjo situatë ka ashtu një të vërtetë të madhe- Me apo pa thonjëza Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të shkoj në konflikt civil dhe aq më pak në lufte civile.
Një politikan i nderuar si Trajnani, Presidenti aktual  parlamentit europian, mund të mos e përmendte luftën civile në deklatën e tij.
Pasi kjo deklaratë edhe me thonjëza mund të tingëlloj joshëse për radikalët dhe ekstremistët dhe si një mundësi për territore të reja. Kjo bëhet edhe më e embël për ata që mbështesin apo parapëlqejnë opsionin e një pranëvere shqiptare apo ballkanike.
Pranvera arabe nuk duhet të jetë një opsion për vendet e Ballkanit Perëndimorë.
Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër kapjes së shtetit, lufta kundër lidhjeve me krimin e organizuar në ekonomi dhe politike prodhon efekte pozitive më shumë se çdo ballafaqim civil.
Eshtë e vërtetë që mungesa e eficencës së insitucioneve te forta, mungesa e shtetit ligjor ka ushqyer sëmundjet e rënda të demokracisë tonë.
Kultura jonë demoktatike dhe politike sado e dobët që është aktualiasht duhet të eleminoj dhe të mos ushqejë kurrë opsione te konflikteve apo “luftë civile”.
Në shekullin e 21 asnjë objektiv politike nuk synohet të arrihet me konflikt apo luftë civile. Demokratizimi i informacionit, demokratizimi i pjesmarrjeve te drejtpërdrejta të grupimeve politike ose shoqërore për ta përmirësuar qeverisjen e vendeve të tyre, jane “armët” demkratike shumë më efektive së konfliktet apo “luftrat civile”, të cilat lënë pas pasoja të rikuperueshme në ndarjet, politike që keqpërdorin ndasitë partiake, krahinore, etnike apo fetare.
Kundër paralajmërimeve edhe me thonjëza për konflike apo luftra civile të gjithë faktorët politikë, akademikë, shoqërore dhe të biznesit duhet te angazhohen që me negociata, kompromise, konsensuse, me zgjedhje dhe rizgjedhje ti largojne retë e zeza në horizontin e të ardhmes euroatlantikt të vendit tonë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

SHKARKO APP