Rama ledhaton Nanon, tund Pëllumbin, shkund Rukën dhe miklon Hajdaragën

Kryeministri Rama e kupton se nuk i ka punët mirë në të majtën shqiptare dhe me saktë, te socialistët. Numri i të pakënaqurve u pa ditën e shtunën në protestën masive të opozitës, por që nuk kishte vetëm opozitarë. Plot të majtë janë zhgënjyer nga qeveria e PS. Ndaj dikush mund t’ia ketë sugjeruar se rrjedhjen e elektoratit të majtë mund t’ia ndalojnë pesë veta nga e kaluara e PS. Dhe pikërisht ai i është drejtuar emrave në pension nga radhët e PS, të cilëve dikur iu mori selinë rozë ku vendosi shtabin e Rilindjes.

Kryeministri Edi Rama në një takim të fondacionit ‘Qemal Stafa’ këtë të hënë ka folur për rikthimin në PS të disa figurave të vjetra, përfshi këtu ish-kryeministrin Fatos Nano, me të cilin Rama ka pranuar më herët se kanë komunikim së bashku.

“Për ti dhënë mundësinë e atyre që janë më të rinj që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë që nuk kanë pasur mundësi ti dëgjojnë protagonistët e së djeshmes. Sigurisht që duhet të bëj bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Ethem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktuara me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha”, tha u shpreh Edi Rama.

Edi Rama nuk ka hall historinë për t’iu mësuar të rinjve socialistë. Ka një hall këto kohë kryeministri. Por nuk është ende e qartë se përse do t’i duhej Ramës rikthimi i Fatos Nanos në skenën politike aktive. Disa media patën akuzuar se afrimi i Nanos te Rama para zgjedhjeve te 25 qershorit 2015 kishte ardhur për shkak se Edi Rama urdhëroi Erion Veliaj t’i jepte një leje ndërtimi Xhoana Nanos pas TEG-ut për një supër kompeks ndërtimi. Lejen e mori familja Nano dhe ndërtimi luksoz vazhdon, por nuk besohet se ish-kryeministri Nano ta ketë ulur kaq poshtë stekën e pazarit me atë që ia mori PS-në dhe për disa vjet e sikterisi edhe nga Shqipëria, kur Nano lëshoi fjalë se do krijonte një parti të re socialiste. Megjithatë lakimi i pensionistëve, të cilët para pak vitesh Edi Rama i zboi nga selia e PS, i përqeshi me ironi nëpër tavolina si “uturakët e fundit” dhe u tundi shkopin e thanës, nuk besohet se është arësyeja e vertetë e asaj çka deklaroi sot kryetari i PS-së te Fondacioni “Qemal Stafa”.

Një hall i madh e ka gjetur Edi Ramën derisa u drejtohet Nanos and co, për të cilët çfarë nuk ka thënë e poshtëruar. Me sa duket pensioni po kap edhe Edi Ramën. Ndaj po bëhen bashkë pensionistët me idenë se në urën e varur te këputur të PS-së të mbajnë njeri tjetrin.

Por ura po bie dhe nuk dihet se cili mund të bjerë me butë në këtë rënie të lirë, ndonëse e kanë një shpresë; vetëm nëse bie i pari Luan Hajdaraga mund të kenë shpëtim në tabanin ku do kërcasin brinjët e mplakura të të tjerëve.

SHKARKO APP