Rama: Edhe do t’ju lejojmë të lëvizni, por dhe në burg mund të përfundoni!
Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh në Facebook, u shpreh sërish se masat e marra në vendin tonë kanë bërë që sot të kemi situatën në kontroll. Ai deklaroi se gjatë javës që vjen do të ketë masa lehtësuese për ata që udhëtojnë me makina për në punë. Nga ana tjetër ai deklaroi se këto masa lehtësuese do të shoqërohen dhe me dënime me të ashpra për shkelësit e rregullave.
Kryeministri tha se qytetarët që nuk u binden rregullave për mbrojtjen nga koronavirusi mund të përfundojnë edhe në burg.
“Tani ne pa diskutim që bazuar në këtë ecuri pozitive kemi mundësinë të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa, shkallë-shkallë, për të lehtësuar psikologjikisht në radhë të parë jetën tonë, por nuk kemi në asnjë mënyrë të drejtë dhe kemi detyrimin që të mos hedhim hapa të nxitur. Unë dua t’ju them se nëse do zgjedhim siç po mendojmë dhe ua kam thënë të fillojmë të bëjmë disa lehtësime, patjetër do bëjmë dhe disa shtrëngime”,- tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shtoi se “nëse do lehtësojmë pak, do jemi të rrezikuar nga ata që nuk duan të kuptojnë dhe thyejnë rregullat duke kërcënuar kthimin në bomba, kështu që ne po konsiderojmë që duke lehtësuar fjala vjen fashën orare apo lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që lejohet dhe nuk e kanë të mundur të lëvizin me automjetin e tyre private, atëherë duhet të rrisim fort sanksionet për ata që do ta shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë, dhe duhet të shkojmë deri në heqje lirie për dikë që nëse merr një automjet për të shkuar në punë, e përdor automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë”.
Kryeministri ka paralajmëruar për heqje lirie dhe ata persona që mbajnë punëtorë në të zezë, duke u bërë edhe një herë thirrje të gjithë personave që kanë qenë në punë të zezë dhe në këtë kohë nuk kanë të ardhura, që t’i denoncojnë. “Po mendojmë dhe një masë për ata që mbajnë punëtorë në të zezë, që mund të shkojë deri në heqje lirie”,- tha kryeministri Edi Rama.
Lexoni edhe…
Rriten shifra. 304 numri i të prekurve nga koronavirusi, 27 raste të reja në 24 orë
Nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00 të gjithë në shtëpi
Vasili: Edi Rama shiko Gjermaninë dhe bëj testime
“Zëri Amerikës”: Ja si penetron dhe sulmon koronavirusi organizmin e njeriut
Basha: Paketa financiare të zgjerohet! Urgjentisht të bëhet testimi masiv!
Shqiptarët mbahen ”peng në rrugë”/Reagon Meta, Basha dhe Rama