Kryeministri Rama: Jemi çerek shekulli me vonesë në planifikimin urban
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit , në kuadër të asistencës financiare dhe teknike, që Qeveria Shqiptare po jep për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, organizuan sot në Tiranë takimin iniciues të hartimit të këtyre planeve për 26 bashki.
Hartimin e planeve të përgjithshme vendore, në kuadër të hartimit të planit të përgjithshëm kombëtar për territorin, Kryeministri Rama, e cilësoi si të vonuar plot një çerek shekulli.
Por, edhe pse shumë i vonuar në kohë, ai vlerësoi se ky projekt madhor vjen sot në funksion të një transformimi historik të qasjes ndaj territorit.
“Është një proces i vonuar çerek shekulli. Kjo që po bëhet sot duhet të ishte bëre 25 vite më parë ose përgjatë këtyre 25 viteve. Nëse kjo do të kishte ndodhur, sot do kishim një Shqipëri dhe një territor krejtësisht tjetër dhe do ishim duke bërë biseda krejt të tjera. Edhe ekonomia do ishte tjetër. Territori është shëndet, territori zhvillim”, vuri në dukje Rama.
Duke iu refruar kohështrirjes që kërkon etapë pas etape deri në finalizimin e tij, Kryeministri vlerësoi se ky projekt në vizionin e tij kapërcen kufijtë e kohës, politikës dhe gjeneratave.
“Angazhim sfidues i hartimit të planit të përgjithshëm kombëtar, ka të bëjë më një vizion që shkon përtej mandatit qeverisës, përtej një procesi politik, një klase politike të caktuar dhe madje përtej një gjenerate, ndaj si i tillë kërkon angazhimin e instrumentave shumë kompleks dhe të një fuqie të madhe dijeje”.
Në mungesë të kapaciteteve të dijes që kërkon ky projekt, qeveria ka ftuar përfaqësues studiosh me kompetenca dhe dije, që sipas Kryeministrit, “janë një vlerë e shtuar në këtë proçes dhe në këtë kohë kur jetojmë në një botë kaq të hapur dhe me probleme që mund të jenë të ndryshme por dhe shumë të ngjashme njëkohësisht”.
Praninë në këtë takim inicues edhe të kryebashkiakëve përfaqësues të opozitës, kreu i Qeverisë e përshëndeti dhe vlerësoi me një rëndësi të patjetërsueshme për komunitet që ata drejtojnë.
Në fjalën e saj më këtë rast, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni kërkoi përkushtimin dhe angazhimin maksimal të stafeve përkatës të çdo bashkie, deri në finalizimin e këtij procesi sfidues në mënyrë që në fund të kemi rezultate të harmonizuara me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. sipas saj, për të mbështetur procesin e hartimit të këtyre planeve, do të ketë dhe ekipe të posaçme multidisiplinare.
Gjermeni gjithashtu kërkoi nga kryebashkiakët e pranishëm në këtë takim, që projektet e hartuara t’i përshaten realitetit shqiptar duke mirëpërcaktuar mundësitë e zhvillimit për çdo bashki.
Planet, tha ajo, duhet të paraqesin vizione mbi bazën e të cilëve të përmirësohet jeta e qytetarëve.