Rama: Nuk ka punëtorë, kjo rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme
Kryeministri Edi Rama thotë se në fund të prillit paga minimale do të bëhet 40 mijë lekë, ndërsa parashikohet që në vitin 2025 të shkojë në 45 mijë lekë.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë prezantimit të punës të bashkisë së Tiranës, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të 14 majit. Rama gjithashtu tha se qeveria do të financojë edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
“Paga minimale në të gjitha programet politike në Shqipëri, pa llogaritur partinë e Nard Ndokës sepse nuk jemi konsultuar me programin e saj, kishte maksimumi 38 mijë lekë në 2025.
Sot ne kemi vendosur që në fund të prillit paga minimale të jetë 40 mijë lekë të reja ose 400 mijë lekë. Jo vetëm kaq, por për të gjitha ato kompani në sektorin e prodhimit që kanë problematika kontratash të lidhura dhe të cilat rëndohen nga kjo rritje që është e kombinuar me sigurimet shoqërorë dhe shëndetësore ne të paguajmë nga buxheti i shtetit sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që marrin pagë minimale në këto sektorë.
Po ashtu kemi vendosur që në vitin 2025, ku programi i të gjithë partive politike kishte që paga të ishte 38 mijë lekë në 2025 të jetë 45 mijë lekë dhe më çdo hap ne do të financojmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës”, tha Rama.
Një tjetër premtim që bëri Rama është që për pagat deri në 50 mijë lekë nuk do paguhen taksa.
“Në javët dhe muajt në vijim do të kemi në rritje të përgjithshme për të garantuar që për pagat deri në 500 mijë lekë (të vjetra) të mos ketë asnjë taksë. Kjo do të thotë që paga që do të shkojë në arkën e familjes do të jetë më e lartë sesa ajo që shkon sot me taksën”, tha Rama.
Rama gjithashtu pranoi se Shqipëria ka mungesë të punëtorëve, duke theksuar se kjo rrezikon të kthehet në sëmundje të pashërueshme.
“Ajo që ka filluar sot të ndihet është vetëm alarmi i fundit, humbja e burimeve njerëzore. Ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme.
Problemi që kishte vende punë dhe nuk kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në një problem që s’ka punëtorë. Aq më tepër në kushtet kur bota, po marr Gjermaninë si destinacionin kryesor jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të gjithë atyre që duan të kenë ato që nuk ja garanton vendi i tyre po hyn në një fazë krize për punëtorë edhe ajo vetë.
Parapërfytyroni se në çfarë presioni gjendet Shqipëria, në një periudhë kohë që nuk është më shumë sesa pak vite.
Prandaj të gjithë duhet të vrapojmë sot më shumë. Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur, por tani është koha për të bërë edhe atë që nuk mundemi.
Ndërsa sipërmarrja duhet të bëjë gjithçka që mundet, sot pa pritur nesër. Nivelet e pagave që së fundmi janë rritur shumë më tepër sesa janë rritur për vite me radhë në sektorin privat të formalizohen dhe të bëhet çmos që të uniformizohen. Që mos jenë iniciativa sporadike”