Rama-Tom Doshi pajtohen në Rinas

Gati dy vite pasi deputeti Tom Doshi u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, selia rozë duket se ka vendosur t’i hapë sërish derën. Kryeministri Edi Rama  është pajtuar edhe formalisht me deputetin Tom Doshi, ndonëse asnjëherë nuk e kanë prishur miqësinë mes tyre. Dje ata janë parë përkrah njëri-tjetrit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, duke pritur Dom Ernest Troshanin, i cili tre ditë më parë u shpall Kardinal nga Papa Francesku. Ardhja në Tiranë e një Kardinali shqiptar sigurisht që është një moment i veçantë  për falje dhe reflektim. Megjithatë, historia politike e Edi Ramës dhe Tom Doshit ka brenda ngarkesa politike që tejkalojnë ceremonitë fetare.

Shtrëngimi i duarve në Rinas mes Doshit dhe Ramës konfirmoi atë që flitej prej kohësh për ribashkim të tyre. Natyrisht që gjithçka është sajuar me mjeshtri nga kryeministri duke shfrytëzuar ardhjen e një Kardinali dhe pritjen nga një deputet katolik. Sinjalet e riafrimit të deputetit Doshi me kupolën e drejtuesve të PS-së nuk kanë munguar edhe më parë, por drejtuesit e selisë rozë të paktën në publik i kanë shmangur daljet me të. Ndërkohë që dje, Kryeministri Rama nuk ka pasur asnjë rezervë që të kishte në krah të tij deputetin problematik që në mars të vitit 2015 rrezikoi jo vetëm marrëdhëniet me LSI, por edhe rrëzimin e qeverisë. Pas përjashtimit të deputetit Doshi nga grupi i PS, marrëdhëniet Rama-Doshi ishin formalisht jo miqësore. Doshi u përjashtua nga grupi pas dëshmisë së rreme për atentat të sajuar ndaj tij nga Kreu i Kuvendit. Drejtësia provoi se ishte një sajesë. Në deklaratat e pakta që Doshi ka dhënë për mediat, e ka quajtur kryeministrin si “bukëshkalë dhe mosmirënjohës”. Nga ana tjetër, Edi Rama në publik i ka kursyer komentet për deputetin që dikur e rendiste tek më të besuarit. Por në ambiente private dhe në forumet e partisë, nuk ka hezituar ta etiketojë dhe si kërcënues dhe gjobëvënës ndaj ministrave.

Por duket se vreri dhe akuzat që hodhën ndaj njëri-tjetrit tashmë janë harruar. Në aeroportin e Rinasit, dy ish-miqtë janë ribashkuar dhe i kanë shpërnguar dorën njëri-tjetrit. Bile ka informacione se kanë qëndruar vetëm ata të dy pak minuta, larg të tjerëve. Si të mos mjaftonte kjo skenë e djeshme në dhomën VIP të aeroportit në Rinas, ka qenë Jozefina Topalli që ka akuzuar Edi Ramën se në Shkodër ka ngrënë darkë me deputetin Tom Doshi dhe deputetin Armando Prenga. Të dy janë deputetët  janë përjashtuar nga grupi parlamentar i selisë rozë. Madje Ambasada e SHBA-ve, si rrallë herë në zhvillimet e brendshme të partive ka mbajtur qëndrim duke vlerësuar lidershipin e Ramës për vendimmarrjet e forta. Problemi është se çfarë vlere kanë përjashtimet formale, kur deputetët largohen nga partia, por nga ana tjetër rregullisht votojnë nismat e qeverisë dhe përkrahin vendimet e partisë. Doshi është ndër deputetët që ka votuar rregullisht ligjet e propozuara nga Partisë Socialiste. Ndërkohë takimi me kryeministrin dhe daljet në publik nuk janë nga ato ngjarje që mund të thuhet se janë rastësi. Afrimi i zgjedhjeve të vitit 2017 duket se i kanë ndryshuar qëndrimet e Kryeministrit Rama lidhur deputetët që i kanë hapur jo pak probleme gjatë viteve të para të qeverisjes dhe që kanë forcë elektorale.

Përveç mungesës së korrektësisë politike të vetë PS-në, afrimi i Doshit nga Rama shihet dhe si një mungesë sinqeriteti me aleatin e koalicionit qeverisës, LSI. Pra, duket një lojë me dy porta e kryeministrit Rama në raport me Ilir Metën. Nga njëra rri në koalicion me Ilir Metën se i duhen numrat e deputetëve dhe nga ana tjetër darkon dhe rri afër Tom Doshit, të cilin e ka përjashtuar formalisht nga grupi parlamentar i PS-së për shkak të akuzave të tij ndaj Metës. Më e sinqertë do të ishte që Rama t’i kërkonte falje Doshit dhe ta pranonte zyrtarisht në grup, ndërkohë që bën sikur e ka larguar e nga ana tjetër darkon me të pa rënë në sy të qytetarëve.

Interesante mbetet se si do të reagojë Ilir Meta pas këtyre daljeve e takimeve të kryeministrit me deputetët e përjashtuar nga PS, sidomos me Doshin, i cili për pak sa nuk solli para dy viteve rrëzimin e qeverisë, për shkakun e tij.

SHKARKO APP