Seancë e posaçme për Shqipërinë në Parlamentin Europian: Pa plotësuar 15 kushtet nuk ka hapje negociatash me BE
Në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian po zhvillohet një seancë e posaçme dëgjimore në Komisionin e Jashtëm për situatën në Shqipëri. Në deklaratat e euro deputetëve spikatën qëndrimet kritike ndaj qeverisë shqiptare dhe kërkesa e përsëritur për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në diskutim e tij reporteri për Shqipërinë David Lega, vlerësoi qëndrimin e Presidentit Ilir Meta në mbrojtje të Kushtetutës, ndërsa shtoi se Shqipëria është në rrugën e çeljeve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ende priten rezultate konkrete për realizimin e reformave kyçe.
“Janë 15 kushte që Shqipëria duhet të plotësojë para vendimit për hapjen e negociatave me BE”,- tha Lega. Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës.
Në mbledhjen e Komisionit për Marrëdhëniet me jashtë në Parlamentin Europian ndër të tjera u diskutua çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar. Përfaqësuesja e Komisionit Angelina Eichorst u shpreh se i është kërkuar autoriteteve shqiptare të hetohen autorët për përdorimin e forcës dhe ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve. Ndër të tjera përfaqësuesja e Komisionit theksoi se shembja e Teatrit që nuk duhet të ndodhte, nuk duhet të heqë vëmendjen nga sfidat për të çuar përpara ngjarjen tjetër më të rëndësishme të muajit mars duke iu referuar reformës zgjedhore.
Në seancë nuk munguan kritikat për politikën e jashtme që po ndjek Shqipëria në rajon. Eurodeputeti Thierry Mariani u shpreh se politikat që po ndjek aktualisht Shqipëria drejt anëtarësimit në BE nuk janë të duhurat dhe të njëjta me ato të unionit. “Ne jemi kundër zgjerimit të BE dhe pyetja tani është për Shqipërinë përsa i përket instrumenteve përpara zgjerimit. Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. Dua të përmend 5 mësues në mars në Kosovë të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Turqi. Inteligjenca Turke kishte edhe partnerë shqiptarë. Ne nuk mendojmë që politikat që kanë zgjedhur këto momente janë të duhura dhe ato të njëjta me BE. Duhet të tregohemi më të ndershme përsa i përket Shqipërisë”,- tha Mariani.