SHBA largon me urgjencë ambasadën nga kryeqyteti ukrainas, Kievi
Nga radio gjermane DW-
Kryeqyteti i Ukrainës po kthehet në zonë të pasigurtë për diplomatët amerikanë. Tani u mor vendimi që ata të zhvendosen në një qytet perëndimor ukrainas, në një kohë që rreziku i luftës rritet.
Për shkak të krizës në Ukrainë, SHBA ka vendosur të zhvendosë ambasadën amerikane nga kryeqyteti Kiev në qytetin Lviv, në perëndim të vendit. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë të ditur, se bëhet fjalë për një masë të përkohshme. Ai e arsyetoi këtë hap me “përshpejtimin dramatik” të marshimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën. “Nuk kam prioritet më të madh, se siguria e amerikanëve kudo në botë, dhe kjo përfshin natyrisht kolegët tanë jashtë vendit”, tha Blinken. Ai theksoi, se ambasada do të bashkëpunojë me qeverinë amerikane, dhe u kërkoi sërish bashkëvendasve të tij që të largohen menjëherë nga Ukraina. Qytetarët amerikanë duhet të largohen po ashtu menjëherë edhe nga Bjellorusia.

Garanci kreditore në vlerë miliardash
Shtetet e Bashkuara duan të forcojnë aftësinë e Ukrainës, para “sjelljes destabilizuese” të Rusisë, tha Blinken dhe duan të forcojnë stabilitetin ekonomik, rritjen ekonomike dhe mirëqenine për popullsinë. Për këtë arsye Kievit i është ofruar një garanci kreditore deri në 1 miliardë dollarë, afër 884 milionë euro, pas tre garancish të njëjta të mëparshme.
Qeveria amerikane ka disa javë që paralajmëron nga një sulm rus kundër Ukrainës. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha të hënën, në televizionin CNN, se numri i trupave ruse në zonën kufitare aktualisht ka kaluar dukshëm numrin e 100.000 ushtarëve. SHBA kanë një “prezencë të vogël ushtarake” në Ukrainë, që lidhet me praninë e diplomatëve amerikanë.
Kirby theksoi, se “ne nuk do të dërgojmë trupa amerikane në Ukrainë për të luftuar”. Por Rusia në rast të një pushtimi duhet të llogarisë me masa ndëshkuese ekonomike të zgjeruara. NATO është e bashkuar në këtë krizë, tha ai. Qeveria ruse mohon çdo lloj plani për sulm dhe kërkon nga ana e saj garanci të zgjeruara sigurie./dw/
Mediat të tjera për sulmin e pritshëm rus
Britanikëve iu është lëshuar një paralajmërim përfundimtar për t’u larguar nga Ukraina pasi Rusia mund të fillojë të pushtojë në 48 orët e ardhshme. Dyshohet se bombat dhe raketat do të bien mbi qytete – përfshirë kryeqytetin Kiev – brenda disa minutave pasi Vladimir Putin të dërgojë urdhrin.
Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë shans për një transport ajror të stilit të Afganistanit për civilët e bllokuar nëse lufta shpërthen këtë javë
Bota është në teh të thikës, ndërsa inteligjenca amerikane ka frikë se pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë mund të fillojë që të mërkurën. Z. Heappey lëshoi paralajmërimin rrëqethës pasi tha se “të gjitha kushtet janë vendosur që rusët të nisë një sulm” dhe “mund të ndodhë pa asnjë njoftim”.
Heappey tha gjithashtu se: “Ky nuk është një paralajmërim për diçka që mund të ndodhë në tre muaj. Ky nuk është një paralajmërim që do të pasohet nga paralajmërime të mëtejshme. Ky është një paralajmërim sepse disa minuta pasi Putini të ketë dhënë urdhrin, raketat dhe bombat mund të godasin qytetet e Ukrainës”.

Britanika “The Sun” ka publikuar një hartë ku tregon se si Ukraina është rrethuar nga të gjitha drejtimet nga forcat ushtarake ruse. Nëse Putin do të urdhërojë, 35 mijë trupa mund të mbërrijnë menjëherë në Kiev nga Bjellorusia, ndërkohë që një kontingjent tjetër mund të mbërrijë nga kufiri me Rusinë.
KOHA JONË SONDAZH


