Shifrat e fundit, 65 mijë viktima dhe 1 milion e 225 mijë të prekur në gjithë botën
Pandemia e koronavirusit ka përfshirë gjithë botën duke shënuar një numër rekord viktimash dhe personash të prekur. Ditën e sotme në total numërohen 66 552 viktima. Numri i të prekurve është 1 milion e 225 mijë. Numri i personave të shëruar është 253 mijë.
Shteti me numrin më të madh të viktimave është Italia. Ky vend numëron sot, në total, 15 362 të vdekur dhe 124 mijë persona të prekur.
Spanja është shteti i dytë për nga numri i viktimave. Sot në këtë vend numërohen, në total, 12 418 viktima dhe 130 mijë persona të prekur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi që ka numrin më të madh të njerëzve të infektuar. Të dhënat e sotme flasin për rreth 312 mijë persona të prekur dhe 8468 viktima.
Gjermania është vendi i katërt në botë për numrin e personave të prekur, por ka më pak viktima se shumë shtete të tjera. Në total në Gjermani numërohen 97 mijë të infektuar dhe 1478 viktima.
Franca ka arritur gjatë dy ditëve të fundit pikun e epidemisë me një numër të lartë viktimash. Në total në këtë shtet janë 90 mijë persona të prekur dhe 7560 viktima.
Në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 389 raste me koronavirus dhe 20 viktima.