Shkatërrimi i grupit negociator dhe largimi i ekspertëve ishte vendim i qëllimshëm i Edi Ramës

Nga Mili Xhani-

Zgjerimi i territorit të Greqisë me 12 milje cënon direkt territorin shqiptar. Deklaratat e kreut të qeverisë, Edi Rama së është në të drejtën e palës greke për të ndërmarrë një hap të tillë tregojnë mos njohje të ligjeve ndërkombëtare nga ana e kryeministrit dhe dëmtojnë direkt interesat e Shqipërisë.

Konventa Ndërkombëtare e Detit (UNCLOS) që është firmosur nga Shqipëria thotë se deti territorial është sipërfaqja që shtrihet deri 12 milje detare (22 km) nga vija bregdetare e cektinës së shtetit përkatës, ku përfshihet edhe hapësira ajrore dhe ajo nënujore. Shqipëria vijën bregdetare e ka kontinentale, ndërsa Greqia përfshin në këtë arsyetim edhe ishujt e shumtë. Çështja e hapësirës së matur nga ishujt përbën gjithë problemin e mosmarrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas UNCLOS 1982 edhe ishujt gëzojnë të drejta për det territorial, shelf kontinental dhe Zonë Ekskluzive Ekonomike, dhe nuk është kusht që duhet të jenë të banuar, por duhet të provojnë që mund të presin banorë dhe të zhvillojnë veprimtari ekonomike. Nëse kemi mbivendosje të detit territorial midis vendeve atëherë përgjithësisht si kufi caktohet, vija mediane e sipërfaqes së mbivendosur. Për të zgjidhur këto mosmarrëveshje duhen negociatat. Por qeveria “Rama” e ka shkrirë grupin negociator prej dy vitesh dhe nuk dihet se çfarë negociuan deri dy vite më parë. Duket se qëllimisht kryeministri ka hequr dorë nga grupet e ekspertëve, të cilët kanë dhe përgjegjësi ligjore për negociatat që bëjnë dhe e ka kaluar këtë çështje si një marrëveshje personale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Shkatërrimi i grupit negociator dhe largimi i ekspertëve duket se ka qenë një vendim i qëllimshëm i Edi Ramës, derisa sot jemi në fazën ku askush nuk di se çfarë ka ndodhur me marrëveshjen dhe përse u kalua te Gjykata Ndërkombëtare. I vetmi burim zyrtar i informacionit janë postimet në Twitter të kryeministrit dhe jo qëndrimet që kemi mbajtur si shtet në përballë Greqisë.

Njëkohësisht nuk dimë se çfarë ka kërkuar dhe grupi negociator dy vite më parë. Si është vendosur çështja e ishujve dhe pikat që rrëzuan marrëveshjen e vitit 2009. Fakti që pala greke përmend fjalën arkipelag është kambanë alarmi, sepse me atë ata synojnë një mbyllje më vijë të drejtë bazë të gjithë grup ishujve. Kjo metodë e sposton vijën e mesit nga ana shqiptare dhe legalizon matjen e 12 miljeve të detit territorial nga kjo vijë përmbyllëse bazë.

Edi Rama përdor vetëm dy argumente lidhur me çështjen e detit me Greqinë. E para, që Greqia ka të drejtë të zgjerohet me 12 milje dhe e dyta, që Shqipëria do e çojë në Gjykatën Ndërkombëtare çështjen e detit me Greqinë. Dy qëndrimet janë kontradiktore. Nëse i njeh Greqisë të drejtën e 12 miljeve duhet të kesh gati dhe dokumentet dhe bazën ligjore për hapësirat e diskutueshme të ishujve. Rama nuk ka ankesa dhe duket se ka pranuar 12 milje siç i ka kërkuar Greqia.

Për çfarë do ankohet në Gjykat, Edi Rama kur i njeh Greqisë të drejtën të marrë 12 milje? Edi Rama thotë se nuk ka marrëveshje sekrete me Greqinë, por hapat që ka marrë pas vendimit të Athinës tregojnë për njëlloj koordinimi. Pranimi i 12 miljeve nga pala greke pa asnjë kundërshtim, si dhe dakordsia për Gjykatën Ndërkombëtare flasin për një pakt që është arritur mes dy kryeministrave. Pala greke ka ndjekur gjithë hapat procedurial duke e çuar në parlamentin grek dhe institucionet më të larta Kushtetuese. Ndërkohë në Shqipëri Edi Rama ka vepruar vetëm me kokën e tij.

Nuk kemi ministri të Jashtme që të sqarojë se çfarë ka ndodhur se çfarë efekti kanë 12 miljet e grekeve në territorin tonë. Që pas ikjes së Dimir Bushatit askush në diplomacinë tonë zyrtare nuk ka idenë çfarë ndodhë më marrëveshjen.

Nuk kemi grup negociator dhe ekspertë që kanë marrë lejen, sipas ligjit nga ana e kreut të shtetit, nuk pyetën. Ekspertët që njohin me detaje çështjen e detit ose janë larguar nga detyra me presione qeveritare ose askush nuk i pyet dhe nuk i thërret për të dhënë mendimet e tyre. Janë njerëz që kanë një jetë që janë investuar për çështjet e tilla.

Nuk është thirrur asnjë institucion i sigurisë, që të përfshirë ekspertë të detit, hartave, ligjeve ndërkombëtare dhe mbrojtjeje. Përballë ekspertëve më të mirë të Greqisë dhe diplomacisë greke që është ndër më të rëndësishmet në rajon, kemi vetëm postimet në Twitter të Edi Ramës. Kryeministri ka vetëm të drejtën e firmës në marrëveshje të tilla, por nuk ka as formimin profesional për të gjykuar një marrëveshje ndërkombëtare apo të masë hartat ujore dhe tokësore. Trajtimi i kësaj çështje me inate për opozitën dhe sharje në Facebook është fyes për shtetin shqiptar dhe tregon se në raportet me Greqinë dhe çështjen e detit po ecim kuturu.

Pala greke sot nisi anijet e peshkimit në ujërat që i shpalli si 12 miljet greke. E bëri kastile për të thënë se tani janë ujëra greke, por edhe për të testuar palën shqiptare, e cila nuk reagoi, sepse duket se e ka mbyllur pazarin kryeministri Rama.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?