Shkatërrimi i rrugës në Borsh, pas nisjes së hetimeve nga KLSH Rama mbron Salillarin
Reshjet e ditëve të fundit nxorën në dukje problemet serioze me investimet në rrugët e vendit. Rruga e Borshit pësoi dëmtime të rënda dhe tregoi se kompania kishte kryer punimet me cilësi të dobët. Rruga Përmet-Skrapar gjithashtu pësoi dëmtime serioze edhe pse reshjet e shiut në këtë zonë nuk ishin masive.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur verifikimet për rrugën e Borshit dhe pritet që shumë shpejt të nxjerrë problemet në ndërtimin e këtij aksi. Të dyja këto rrugë që u shkatërruan me pak milimetra shi janë ndërtuar nga e njëjta kompani, “Salillari” shpk.
Kritikat për punimet e dobëta, ndërkohë që çmimi për kilometër rrugë në Shqipëri është sa në vendet e BE, kanë bërë që Edi Rama të marrë sot në mbrojtje kompaninë private. “Nuk mund të thuash që është kompania shkaktare. Ka punë që janë bërë dhe sot për në kushtet gjeologjike mund të ketë çarje, ashtu si dhe mund të jetë kompania shkaktare, por kjo kërkon analizë. Të çosh kameran në një rrugë të çarë dhe t’ja kërcasësh kompanisë, mban më shumë era gjobë sesa gazetari. Sugjerimi im është mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që punësojnë mijëra njerëz, me njerëz që kontribuojnë. Askush s’është engjëll dhe askish s’është i përjashtuar nga e drejta për të vlerësuar deri në fund veprimtarinë kur ka një problem. Por është fatkeqëi e madhe që këtu suksesi kthehet në mallkim dhe suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe u japin punë dhjetra mijëra-familjeve, është bërë mallkimi i tyre. Goditen nga mëngjesi në darkë siç goditeshin kulakët pas çlirimit. Mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, por mund të mos jetë. Por duhet hetuar për të zbuluar shkaqet. Është një hetim që në dijeninë time po bëhet nga KLSH”, tha Rama.
Mbrojtja që Edi Rama i bën kompanisë private duket si një sinjal që shkon për institucionet që po hetojnë. Kompani, “Salillari” shpk është ndër më kryesoret në vend që ka marrë paratë e buxhetit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.