Reagime të organizatave të shoqërisë civile: Reforma në drejtësi po bëhet pa transparencë

Organizatat e shoqërisë civile që protestonin dikur pro reformës në drejtësi dhe ndonjëherë sulmonin dhe opozitën si penguese të saj, dy vite pas votimit të ligjeve për këtë reformë, shohin se problemi i zbatimit të saj është te qeveria.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti për Studime Politike si dhe një grup shoqatash të tjera në një deklaratë për mediat shprehin shqetësimin për bllokimin e reformës në drejtësi.

Vërejtjet serioze nisin që nga mungesa e fondeve dhe ambienteve për institucionet e reja, gjë për të cilën është përgjegjëse qeveria dhe shkojnë deri në çështje që lidhen me funksionimin e brendshëm të institucioneve të pavarura.

Në deklaratë ata theksojnë se reforma po kryhet pa transparencë. Pra, institucionet kryesore që kanë në dorë fatin e drejtësisë së vendit, refuzojnë të informojnë për punën e tyre edhe organizatat që kanë statrus të veçantë për ndjekjen e zbatimit të reformës. Procesi i emërimeve në institucionet e reja është bllokuar. Vendi ka 15 muaj me Prokurori të Përkohshme dhe vetingu nuk ka ecur as me 15 % të planit të parashikuar gjatë votimit të reformës edhe pse komisionet kanë konsumuar gjysmën e mandatit.

Kjo është hera e parë që organizata të shoqërisë civile vënë në dukje problemet që lidhen me bllokimin e reformës. Në mënyrë të hapur, përgjegjësia për pengesat dhe transparencën ka të bëjë me qeverinë, e cila falë edhe mbështetjes së madhe të këtyre shoqatave po e çon reformën drejt bllokimit.

Tetë shqetësimet e organizatave që monitorojnë reformën bëhen një ditë para se përfaqësuesja e BE të mbërrijë në Tiranë, për tu njohur me ecurinë e projektit ku ndërkombëtarët janë investuar më shumë vitet e fundit.

Edhe pse ambasadorët thonë se reforma po ecën me ritmet e duhura, shqetësimet serioze që paraqesin sot organizatat që bashkëpunojnë me BE tregojnë se reforma më e pakta e është e vonuar, më e rënda është mungesa e transparencës. Dhe kur flitet për mungesë transparence, pas saj mund të fshihen shumë probleme të tjera që edhe ata që financuan reformën duket se nuk i dinë.

Deklarata e plotë e organizatave për reformën në drejtësi

“Organizatat e shoqërisë civile që po monitorojnë ecurinë e reformës në drejtësi dhe aktivitetin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), Instituti i Studimeve Politike (ISP) dhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, bazuar në rezultatet e deritanishme të procesit të reformës në drejtësi, ndajnë me publikun qëndrimin se:

  1. Edhe pse reforma në drejtësi po vijon, ajo ende po zhvillohet me ritme shumë të ngadalta, si përsa i përket procesit të vettingut ashtu edhe ngritjes së institucioneve të reja. Përveç ritmit konstatohet koordinim i pamjaftueshëm ndërinstitucional si dhe në disa elementë ka probleme me nivelin e transparencës.
  2. Përsa i përket procesit të vettingut, ndonëse është konsumuar gjysma e mandatit kohor kushtetues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri tani ka përfunduar procesi i rivlerësimit vetëm i më pak se 15% të të gjithë trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
  3. Procesi i ngritjes së institucioneve të reja, sidomos i Gjykatave të Posaçme dhe i SPAK, ka tejkaluar afatet kohore ligjore sipas të cilave këto institucione duhet të ngriheshin: brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga ngritja e tyre, ende nuk ka informacion në lidhje me koordinimin ndërmjet dy organeve në drejtim të ngritjes së harmonizuar kohore të institucioneve të hetimit dhe gjykimit për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që vlerësimi dhe përzgjedhja e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme është parashikuar të zgjasë rreth 8 javë, aktualisht nuk ka asnjë informacionin mbi emërimin e përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe pse ky proces ka filluar në fund të muajit dhjetor 2018. Vonesat po shoqërohen ndërkohë me mungesë transparence ndaj publikut, për procedurat, afatet dhe përgjegjësitë nga vetë organet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji.
  4. Organet e vettingut ende nuk kanë trajtuar me përparësi rastet për rivlerësimin kalimtar për gjyqtarët kandidatë për gjykatat e posaçme dhe kandidatët për prokuror për SPAK, ashtu siç edhe disa prej anëtarëve të zgjedhur të KLP (3 anëtarë) nuk kanë ende vendim përfundimtar të konfirmimit në detyrë, pasi vijojnë të jenë në pritje të gjykimit në shkallën e dytë të vettingut.
  5. Procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm gjithashtu po ecën me ritme të ngadalta ndërkohë që Shqipëria po mbush 15 muaj me Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.
  6. Shqetësim paraqesin edhe disa vendimmarrje të KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat kufizojnë aksesin për informim publik dhe monitorim para dhe gjatë realizimit të mbledhjeve plenare. Si rrjedhim, kjo situatë pamundëson jetësimin e parimit të transparencës, krijon elementë të dyshimit në integritetin e aktivitetit të institucioneve dhe ndaj mund të cenojë besimin e publikut në rezultatet dhe ecurinë e procesit.
  7. KLP nuk ka ende një godinë definitive ku të ushtrojë në mënyrë permanente veprimtarinë e tij, ndërkohë që si KLP dhe KLGJ nuk i është alokuar ende buxheti, nuk janë pajisur me personelin administrativ mbështetës. Kufizimet në buxhet dhe personel kanë bërë që në disa raste, këto institucione të mos respektojnë afatet ligjore të informimit ndaj aktorëve vendas që monitorojnë veprimtarinë e tyre.
  8. Në fundmi, ne apelojmë institucionet përgjegjëse, KLGj, KLP si dhe organet e vettingut për transparencë dhe komunikim me publikun duke iu përgjigjur interesimit të tij për ecurinë dhe proceset në drejtim të ngritjes së institucioneve të hetimit dhe gjykimit për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke hedhur dritë mbi ecurinë e deritanishme për të shmangur politizimin dhe ecjen me hapa të shpejtë të këtyre proceseve. Transparenca dhe komunikimi i qartë, i kohshëm dhe i shpeshtë me publikun kontribuon në një klimë besimi me të mirë dhe adreson pritshmëritë që qytetarët kanë për këtë proces. Gjithashtu, i kërkojmë organeve të vettingut të trajtojnë me përparësi rastet për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve kandidatë për gjykatat e posaçme, kandidatëve për prokuror për SPAK si dhe në tërësi ecjen me ritme më të shpejta të procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

SHKARKO APP