Shqipëria në shtetrrethim prej koronavirusit, del edhe ushtria së bashku me policinë

Qeveria merr masa ekstreme për të ndalur koronavirusin. Ushtria del në rrugë për të zbatuar masat. Gjobë 5 mijë euro kush refuzon vetëkarantinën, nëse vjen nga Italia apo shtetet e prekura. Po kështu 20 milionë lekë gjobë për lokalet dhe restorantet që nuk mbyllen në Tiranë dhe Durrës.

Shqipëria po përballet këto ditë më një nga situatat më të rënda në historinë e shtetit. Koronavurusi shënoi dje viktimën e parë, ndërkohë numri i të prekurve deri në orën 20:00, është 11 me prirje në rritje. Drejtues të institucioneve të shëndetësisë pranojnë se jemi ende në fazën e parë të shfaqjes së virusit dhe nuk mund të japin shifra të sakta apo të bëjnë parashikime, por të gjithë e pranojnë se numrat e të prekurve do rritet. Ajo që po ndodhë në Itali është shembulli për atë që na pret edhe ne, nëse nuk merren masat e duhura. Qeveria “Rama” hodhi dje hapin e parë që tregon se e ka marrë seriozisht situatën, pavarësisht se me vonesë. Kryeministri Edi Rama deklaroi dje nxjerrin në rrugë të ushtrisë për të kontrolluar këdo që thyen vetëkarantinën. Ushtarakët dhe policia do të kontrollojnë në rrugë të ndryshme të qyteteve personat që rezultojnë, sipas sistemit TIMS, se kanë hyrë nga Italia gjatë 14 ditëve të fundit. Nëse personat e kthyer nga Italia nuk janë në karantinë do të gjobiten me 5 mijë euro. Ky urdhër i kryeministrit Edi Rama u modifikua pasdite dhe pjesë e tij nuk janë vetëm ata që vijnë nga Italia, por çdo zonë e prekur nga jashtë Shqipërisë.
Masa tjetër e marrë nga qeveria “Rama” është mbyllja e të gjithë lokaleve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi se do të ketë masa të rrepta për këto lloj biznesesh që shkelin ligjin. “Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij”,- tha ministrja Manastirliu. Ndërkohë qeveria ka vendosur që bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik duhet të zbatojnë distancën e sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra. Po ashtu Bashkia e Tiranës vendosi dje kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve në transportin urban, jo si masë detyruese, por si këshillë. Ndërkohë apeli i drejtuesve të institucioneve që po përballojnë situatën është qëndrimi në shtëpi i gjithë qytetarëve që nuk e kanë të domosdoshëm lëvizjen për arsye pune apo shëndetësore.
Debati për ligjshmërinë dhe të drejtat e njeriut, në një situatë emergjence siç është Shqipëria, tashmë kalon në plan të dytë. Ndërkohë ajo që bie në sy është se shumica e masave janë të vonuara. Nisur nga përvoja e hidhur e Italisë, Shqipëria kishte të gjitha mundësitë që të shmangte shumë prej ngjarjeve që po ndodhin këto ditë. Po ashtu edhe opozita ka paralajmëruar që në nisje të muajit shkurt se situata do të shkonte drejt përkeqësimit dhe duheshin ndërhyrje direkte. Vetëmburrja e institucioneve se Shqipëri është vend i sigurt dhe nuk kemi raste koronavirusi, ndërkohë që në Itali ishte shpallur epidemia, treguan jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe papërgjegjshmëri të theksuar shtetërore dhe politike.
Por epidemia e koronavirusit po tregon dhe papërgjegjshmërinë e theksuar të qytetarëve shqiptarë. Edhe pse tashmë jemi zyrtarisht në emergjencë dhe çdo ditë ka apele informuese për marrjen e masave, sërish shqiptarët vijojnë të shkelin rregullat duke frekuentuar lokalet dhe ambientet publike e ku rrijnë kurriz me kurriz me njëri tjetrin. Një neglizhencë e tillë nuk është më mungesë informimi, por krim që qytetarët bëjnë ndaj vetes dhe të tjerëve.
Ndaj masat e qeverisë janë të domosdoshme, ndonëse repressive.
Mili Xhani

SHKARKO APP