Shqipëria rrezikon kapjen totale të shtetit nga Rama

-Presidenti Ilir Meta i drejtohet Komisionit të Venecias për shkeljet ligjore të mazhorancës në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pyetjet e kreut të shtetit: “Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?”

Kreu i shtetit Ilir Meta ka dërguar në Komisionin e Venecias çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti kërkon nga institucioni ndërkombëtar dhënien e opinionit ligjor mbi përplasjen e ashpër mes Presidencës dhe Kuvendit për procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kreu i shtetit dekretoi juristen Marsida Xhaferrllari si anëtare të kësaj gjykate. Por mazhoranca në Kuvend, me anë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të drejtuar nga Ardian Dvorani, manipuluan procedurën duke votuar në Parlament emrin e Arta Vorpsit për të njëjtën vakancë që më herët kishte bërë dekretimin kreu i shtetit. Në këtë mënyrë, Kuvendi me anë të KED dhe procedurave antiligjore morën kompetencat që Kushtetuta ia njeh Presidentit, me qëllimin final për të vendosur në Gjykatën Kushtetuese emrat që janë më afër Partisë Socialiste, pra kryeministri donte ta kishte nën zap edhe këtë gjykatë. Vetë Gjykata Kushtetuese nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për të interpretuar këtë konflikt të rëndë institucional, ndaj i vetmi institucion që mund të përcaktojë, qoftë edhe duke dhënë vetë një opinion se cila palë ka shkelur ligjin, është Komisioni i Venecias.

Për këtë qëllim, Presidenti Ilir Meta dje ka dorëzuar kërkesën në Komisionin e Venecias, ku parashtron gjithë problematikën ligjore dhe shkeljet flagrante të Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i shtetit argumenton se aktet e KED dhe drejtuesit të këtij institucioni, Ardian Dvorani, ndaj të cilit është bërë kallëzim penal, kanë manipuluar garën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. Bashkë me argumentet dhe shpjegimin e konfliktit, Presidenti i kërkon Venecias interpretimin ligjor dhe përgjigjen juridike për më shumë se 40 pyetje që lidhen me aktet e Kuvendit dhe të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por më shumë se çështjet e ngatërruara juridike, pyetjet e Presidentit për ekspertët e Venecias kërkojnë edhe një opinion për situatën institucionale ku ndodhet sot Shqipëria dhe se çfarë nënkupton kapja e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca e sotme. Presidenti shprehet se “Shqipëria ndodhet në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit!”.

Ndër të tjera, kreu i shtetit rendit dhe gjithë pushtetet të cilat sot janë nën kontrollin e qeverisë “Rama”. “Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?”,- thuhet në një nga pyetjet e Presidentit drejtuar Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias është institucion ekspertësh juridik ndërkombëtarë që jep opinione për çështjet ligjore për të cilat i drejtohet kërkesë. Para kërkesës së Presidentit, po për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka dërguar kërkesë dhe mazhoranca me anë të Kuvendit. Përgjigja e Venecias nuk është detyruese për institucionet, por një rekomandim që duhet të merret parasysh nga palët. Në rastin e Shqipërisë, qëndrimi final i Komisionit të Venecias ka rëndësi më shumë se në çdo shtet tjetër. Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të zgjidhë mosmarrëveshjet, por lëmshin ligjor dhe institucional mund zgjidhë disi duke u bazuar në përgjigjen e Venecias. Për shkak të rëndësisë që ka Gjykata Kushtetuese në kontrollin e pushteteve të tjera në vend, Venecia nuk ka në dorë thjesht çështjen e disa gjyqtarëve, por edhe të standardeve demokratike që ka sot Shqipëria.

Ndaj dhe kreu i shtetit i kujton në letrën e tij këtij institucioni, se opinioni që ata do të japin do të përcaktojnë “rrugën që do të marrë Shqipëria, drejt demokracisë apo drejt instalimit të diktaturës”./Mili Xhani/

SHKARKO APP